KORÇË - Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim, ish-shoqëruesin e Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, pasi akuzohet se ka marrë  nga 3000 euro ryshfet nga dy persona, në këmbim të vendeve të punës në Drejtoritë Arsimore të Korçës dhe të Elbasanit.

Andrea Halili 34 vjeç, njëkohësisht ish-punonjës i Gardës së Republikës, është dërguar për gjykim, i akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” me qëllim përfitimi.

Sipas Prokurorisë, në kohën e kryerjes së veprës penale, ai ka qenë punonjës i Gardës së Republikës, i ngarkuar me punë si shoqërues i Ministres së Arsimit dhe, duke përfituar nga ky post, u ka premtuar dy shtetasve nga Korça se do të ndikonte pranë zyrtarëve të Drejtorisë Arsimore Korçë dhe Elbasan për të sistemuar familjarë të tyre në pozicione pune, në këmbim të shumave të parave që arrinin në vlerën e 3000 eurove.

Ndaj ish-shoqëruesit të Ministrës Nikolla, kanë bërë kallëzim dy personat të cilët pasi i kishin dhënë paratë, por nuk kishin arritur të punësonin familjarët e tyre. Sipas kallëzuesve, ata kanë zhvilluar bisedë me të pandehurin në fund të vitit 2013 dhe fillim të vitit 2014 për të krijuar mundësinë e sistemit të familjarëve të tyre në punë.

Për këtë shërbim që do t’u bënte i pandehuri, ata kanë paguar edhe shumat e parave. Por, duke qenë se ish-Gardisti nuk ka arritur t’u sigurojë vend pune, ata kanë bërë kallëzim ndaj tij në fillim të tetorit 2014.

Në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Korçës nisi hetimet në gjendje të lirë edhe ndaj Drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Korçës Kristaq Grabocka 49 vjeç, pasi nën ndikimin e Halilit, edhe ai ka marrë një shumë prej 3 mijë eurosh për të punësuar një grua. 

“Gjej persona që paguajnë”
Në kallzimin e tij ky shtetas ka sqaruar ndër të tjera se shtetasin Andrea Halili, e ka njohur rastësisht nga një shok i përbashkët. Sipas kallzuesit Andrea është me banim në Tiranë dhe është punonjës i Gardës së Republikës dhe shoqërues i Ministres së Arsimit. Pasi është njohur me Andrean, kallzuesi ka mësuar se ai kishte marrëdhënie shumë të mira me shtetasin zyrtarë të lartë të drejtorisë Arsimore Korçë. Pasi është vënë në dijeni të këtij fakti kallzuesi i ka thënë Andreas ta ndihmonte për ta punësuar bashkëshorten e vet edukatore në fshatin Kamenicë.

Sipas kallëzuesit Andrea i ka thënë që do ta bisedonte me zyrtarët, por është e mira që të gjesh ndonjë person që e ka përfunduar shkollën e lartë. Gjithsesi ai i ka thënë kallëzuesit të plotësonte disa dokumenta, si fotokopje diploma, listë notash etj. Kjo bisedë është zhvilluar që në muajin Dhjetor të vitit 2013. Kallëzuesi ka sqaruar se mbas dy muajsh nga momenti i mësipërm ai është takur përsëri me Andrean dhe i ka dhënë këtij të fundit, dokumentat e bashkëshortes së tij dhe 3000 euro, të cilat Andrea i ka thënë se do t’ia jepte zyrtarëve të Drejtorisë Arsimore.

Rasti i dytë
Pas tre ditësh Andrea e ka marrë kallëzuesin në telefon me, duke i thënë që: “E gjete personin tjetër që të më ngelet ndonjë lekë edhe mua? Sepse ato lekë që me dhe ti do t’ia jap disa personave të tjerë. Kallëzuesi i ka thënë se i kishte gjetur një vajzë që kishte mbaruar shkollën për mësuese në Universitetin e Korçës. Kallëzuesi kishte takuar një shtetas me emrin T.K, nga Korça, i cili donte të fuste në punë një shoqen e vet dhe në bisedë e sipër kallëzuesi i ka folur për Andrean dhe muhabetin që ai kishte bërë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)