KORÇE- Katër persona janë arrestuar pasi akuzohen për dhënie ndihme të shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në kuadër të operacionit "Midnight 22", u arrestuan Alvin Dylgjeri, Anxhelino Dobra, Mandi Hysa dhe Bledar Gurra.
Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin Bledar Gurrën dhe pasagjer shtetasin Mandi Hysa.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 10 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga këta shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së” informoi sot policia.
Në vijim të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga edhe dy shtetasit e tjerë Alvin Dylgjeri, Anxhelino Dobra, të cilët u konstatuan në afërsi të fshatit Çiflig, Korçë, me automjetin tip “Benz”, ku nga hetimet e kryera rezultoi se ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar 38-vjeçarit, Dylgjeri iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me dy automjete, 4 celularë dhe një shumë parash.