Korçë- Policia e Korçës ka goditur një tjetër rast rast të emigrantëve që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin.

Në pranga ka rënë një 25-vjeçar nga Sudani i cili ndihmoi 2 emigrantë për të kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacioni një nga vendet e BE-së.

Operacioni për kapjen e tij u kodua “Itinerari 3”, teksa emigrantët e paligjshëm u kapën në malin Moravë.

Gjatë këtij muaji uniformat blu kanë arrestuar edhe katër sudanezë të tjerë për të njëjtën veprimtari.

 “Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 3”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 25 vjeç, banues në Darfur, Sudan.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Greqi, kanë ndihmuar 2 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Devollit. Emigrantët e parregullt, janë konstatuar nga shërbimet e Sektorit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë, në malin Moravë.

Punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.