Policia e Korçës ka arrestuar dy zyrtarët e Drejtorisë së Transportit, pasi akuzohen për korrupsion. Në pranga ka rënë shtetasit Daniel Xhemo, 52 vjeç, dhe Fredi Gogo, 64 vjeç, të dy banues në Korçë, me detyrë kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë.

Sipas policisë, dy zyrtarët janë kapur duke marrë shuma lekësh nga shtetas të ndryshëm për të favorizuar regjistrimin e mjeteve pranë Drejtorisë së Transportit, duke ndryshuar vitin e prodhimit të mjeteve me qëllim shmangien e taksave.

Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni antikorrupsion i koduar "Kodifikimi". Arrestohen dy kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Kodifikimi" si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Daniel Xhemo, 52 vjeç dhe Fredi Gogo, 64 vjeç, të dy banues në Korçë, me detyrë kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas, janë kapur në flagrancë duke marrë shuma lekësh nga shtetas të ndryshëm, për të favorizuar regjistrimin e mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë, ku ndryshonin vitin e prodhimit të automjeteve me qëllim shmangien e taksave. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.