Për herë të parë në Shqipëri do të ngrihet ‘Byroja e Kreditit’ që do të operojë në formën e një shoqërie aksionare, e cila do të mbledhë, përpunojë dhe shpërndajë informacionin kreditor të individëve dhe bizneseve. Praktikisht do të ‘skanojë’ financiarisht të gjithë kredimarrësit dhe në një regjistër do të shënohet sjellja e tyre në shlyerjen e detyrimit.

Byro krediti” janë personat juridikë të themeluar në formën e shoqërive aksionare dhe që ushtrojnë veprimtari në përputhje me kërkesat e këtij ligji, të cilat mbledhin, përpunojnë, ruajnë dhe administrojnë të dhëna mbi historikun e kredisë, detyrimet financiare, sjelljen paguese dhe aftësinë kredimarrëse të personave fizikë dhe personave juridikë, të përftuara nga burime të autorizuara të të dhënave. Byrotë e kreditit vendosin në dispozicion këto të dhëna të përpunuara për përdoruesit e të dhënave, për qëllime të vlerësimit të sjelljes paguese dhe aftësisë kredimarrëse të subjektit të të dhënave me të cilët hyjnë ose synojnë të hyjnë në marrëdhënie kontraktore”, thuhet në pikën 4 të nenit 4 të projektligjit të hedhur në konsultim publik.

Sipas projektligjit, qëllimi është të krijohet një sistem më i besueshëm për vlerësimin e aftësisë paguese të qytetarëve dhe subjekteve juridike.

“Projektligji rrit transparencën dhe besueshmërinë e informacionit kreditor, duke mbështetur një vlerësim më të saktë të aftësisë paguese të klientëve dhe një vendimmarrje më të informuar nga subjektet raportuese dhe përdoruesit e autorizuar të informacionit kreditor.  Byrotë e kreditit do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së vlerësimit të rrezikut kreditor, duke bërë të mundur që vendimmarrja mbi huadhënien të bazohet në të dhëna më të sakta dhe më gjithëpërfshirëse”, thuhet në relacion.

Informacioni që do të mbledhë ‘Byroja e Kreditit’ do të ruhet deri në 3 vjet pas mbylljes së kredisë kur kredimarrësi është korrekt, dhe deri 5 vjet nga data e përmbushjes ose shuarjes së detyrimit përkatës kur të dhënat janë negative.

Byrotë e Kreditit do të licencohen për të mbledhur dhe administruar të dhëna mbi historikun e kredive, sjelljen në pagesa dhe detyrimet financiare, të cilat do t'u vihen në dispozicion institucioneve që japin kredi. Gjithashtu në relacion thuhet se një analizë më e mirë financiare, ndihmon edhe qytetarët përballë kredimarrjes.

“Projektligji synon parandalimin e mashtrimit kreditor dhe të praktikave mashtruese në procesin e dhënies dhe të përdorimit të kredisë, në blerjet me pagesë të shtyrë ose me këste, si dhe në marrëdhënie të tjera financiare ose tregtare që përfshijnë dhënien e financimit apo lindjen e detyrimeve për pagesë me afat, të cilat janë objekt i raportimit kreditor sipas këtij ligji”, thuhet në relacion.

Projektligji parashikon që informacioni të mblidhet nga një gamë e gjerë institucionesh, përfshirë bankat, institucionet financiare jo banka, shoqëritë e sigurimit, Bankën e Shqipërisë, administratën tatimore, njësitë e qeverisjes vendore, si edhe kompanitë e energjisë, ujësjellësit dhe operatorët e komunikimeve elektronike.

Efektet kryesore të projektligjit pritet të jenë:

Rritje e Transparencës Financiare: Byrotë e kreditit do të sigurojnë një sistem të besueshëm të raportimit kreditor, duke ndihmuar institucionet financiare dhe subjektet e tjera të ligjit në vlerësimin më të saktë të rrezikut kreditor.

Lehtësim i Aksesit në Kreditim: Individët dhe bizneset me histori të mirë financiare do të kenë mundësi më të mëdha për të negociuar norma interesi më të favorshme dhe për të marrë kredi në afate më të shkurtëra.

Ndikim Pozitiv për NMVM-të: Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme do të kenë më shumë mundësi për të ndërtuar një histori të mirë krediti dhe për të siguruar financime pa pasur nevojë për të ofruar në çdo rast garanci reale ose personale për ripagimin e kredisë.

Përmirësim i Kulturës së Pagesave: Regjistrimi dhe administrimi i historikut të sjelljes paguese të subjekteve kredimarrëse do të nxisë respektimin e afateve të shlyerjes së detyrimeve financiare, duke reduktuar rastet e mospagimit dhe duke kontribuar në krijimin e një tregu më transparent, të disiplinuar dhe me nivel më të lartë përgjegjshmërie financiare.

Shkurtimi i Kohës dhe Eficienca e Procedurave të Kreditimit: Ndërsa vlerësimi i aftësisë kredimarrëse nga kredidhënësit shpesh kërkon disa ditë pune dhe angazhim të konsiderueshëm të burimeve njerëzore për analizimin dhe verifikimin e informacionit financiar, byrotë e kreditit mundësojnë përpunimin dhe gjenerimin e raportit kreditor të subjektit të të dhënave brenda një kohe shumë të shkurtër, duke përshpejtuar procesin e vendimmarrjes dhe miratimit të kredive.


Klikoni këtu për të lexuar dokumentin e plotë