Në një atmosfere festive rikthehet për të gjashtin vit radhazi në fshatin Dvoran të Korçës "Festa e Mollës" që synon të promovojë këtë produkt mjaft të njohur në juglindjen e vendit.

Fermerët e zonës së Korçës gjatë organizimit të këtij panairi patën mundësinë e ekspozimit të varieteteve të ndryshme të mollëve .

“Prodhimi është shumë i mirë, cilësia është shumë e mirë veç tregut. Problemi është vetëm tregu tek fermerët. Kë të pyesësh këtu, për këtë gjë do të ankohen. Qeveria duhet të marrë masa të hapë eksportin me jashtë, se malli është shumë i mirë është me standarde europiane”, shprehet një fermer.

Këtë vit prodhimi ka qenë i bollshëm dhe i mbarë por problem shqetësues mbetet mungesa e tregut edhe pse shpeshherë fermerët përpiqen të sigurojnë shitjen e prodhimit përmes eksportit.

“Ne kemi rritur dhe rendimentin dhe cilësinë. Mbetet akoma për t’u bërë më shumë si nga dega e bujqësisë, të jenë më afër fermerëve sepse kemi shumë probleme sidomos me tregtimin e frutave. Ka fruta që nuk kanë shkuar ashtu siç duam neve.

Fermerët me shpresë jetojnë gjithmonë, shqetësime tona janë afatgjata duhet gjetur treg në vendet e lindjes të paktën me Egjiptin”, u shprehën fermerët.

Fshati Dvoran është një nga fshatrat më të njohur të juglindjes që kultivon sasinë më të lartë dhe varietete të ndryshme të mollës.