Policia e Korçës vijon me operacionet për lojërat e fatit. Në bazë të kontrolleve të kryera blutë kanë zbuluar 2 lokale në lagjen nr. 8 ku organizohej kjo veprimtari.

Në pranga ka rënë një nga pronarët e lokalit. Ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet 26 vjeç, i punësuar në mënyrë të paligjshme në lokalin e 32-vjeçarit.

“Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në vijim të operacionit policor të koduar “Qarku”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë zbuluar 2 lokale në lagjen nr. 8 në qytet, ku organizoheshin lojëra fati.  

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:

-u arrestua në flagrancë për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasi L. Dh., 32 vjeç, banues në Korçë, pronari i një lokali ku organizoheshin lojëra fati;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin M. S., 26 vjeç, banues në Korçë, i punësuar në mënyrë të paligjshme në lokalin e shtetasit L. Dh”, njoftoi sot policia.

Gjatë këqyrjes së celularëve të këtyre dy shtetasve, u gjetën faqe aktive për baste sportive. 

Në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 30-vjeçar pasi në ambientet e lokalit ku qëndronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, për shtetasin H. L., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi në ambientet e lokalit ku qëndronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive”, thuhet më tej në njoftim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.