KORÇË -Një 10-vjeçare ka mbetur e plagosur teksa është përplasur nga një makinë pasditen e sotme në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë fshatit Kuç i zi.
 
E mitura me inicialet M.A ka qenë e shoqëruar nga gjyshja e saj, teksa po kalonte nga njëra anë e rrugës në anën tjetër, kur është përplasur nga një makinë tip “Benz” ngjyrë gri, e cila më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi.
 
Kanë qenë banorë të zonës ata që e kanë dërguar vogëlushen në spital, ndërsa më pas bluzat e bardha kanë vendosur ta nisin atë drejt Tiranës me helikopter për mjekim më të specializuar, teksa mësohet se ajo ka marrë plagë të rënda në kokë.
 
Blutë e Korçës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për identifikim e drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin dhe ndalimin e tij.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com )