KORCE- Policia e Korçës ka nisur procedim penal ndaj mjekëve të spitalit të këtij qyteti, të cilët akuzohen nga një çift prindërish, se kanë shkaktuar vdekjen për shkak të pakujdesisë së foshnjës tyre vetëm dy orë pas lindjes.
 
Në kuadër të hetimit policia ka marrë nën dorëzim edhe kartelën mjekësore të foshnjës. 

Nëna e foshnjës u shpreh dje për A1 REPORT se djali i saj ndërroi jetë vetëm dy orë pasi erdhi në jetë, ndërsa për këtë fajëson mjekun, Gjergji Gjata, dhe një koleg të tijin.

Sipas saj, mjekët para se të lindë foshnja i kishin thënë se gjendja e saj shëndetësore ishte e mirë, ndërsa pasi ndërroi jetë, të njëjtët mjekë janë shprehur se foshnja kishte probleme në zemër dhe mushkëri.

Nga ana tjetër,familjarët nuk kanë tërhequr trupin e foshnjës nga morgu i spitalit duke këmbëngulur që autopsia të bëhet nga mjekë nga Tirana. Edhe këtë të hënë ata kanë kërkuar drejtësi dhe kanë akuzuar mjekët për neglizhencë. Prindërit e foshnjës shprehen së nuk e marrin trupin e pajetë të vogëlushit deri sa të vijë një grup mjekësh nga Tirana për të kryer ekspertizën.

“Unë jam këtu, dua drejtësinë e fëmijës dhe të nuses, se edhe nusen e kam me depresion, dua drejtësinë, çfarë kanë marrë doktorët dua t’i kthejnë mbrapsht. Unë do ta kërkoj dhe dua edhe avokatin e popullit që të vijë të kërkojë të drejtën e fëmijës dhe të nuses.
Kur i filluan dhimbjet, 24 orë ka qëndruar nusja ime pa një gjilpërë,”- shprehet gjysha e foshnjës që humbi jetën.

Foshnja e seksit mashkull ndërroi jetë një ditë më parë në maternitetin e Korçës, pesë orë pas lindjes ndërsa familjarët akuzuan mjekët për neglizhencë. Këta të fundit mohuan akuzat duke pohuar se foshnja ndërroi jetë nga asfiksia akute. 

DREJTORI I SPITALI: S’MARRIM MASA PA DALË EKSPERTIZA
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtorit të spitalit të Korçës, Pandi Papando, i cili ka deklaruar se aktualisht nuk mund të merren masa për mjekët, teksa ende nuk kanë dalë rezultatet e ekspertizës mjekoligjore.
 
“Nuk mund të marrim masa pa dalë e vërteta. Tani janë nisur nga Tirana mjekët për të shqyrtuar çështjen dhe pas asaj do prononcohem”-tha drejtori Papando

manushaqe demolli me logo
manushaqe demolli me logo
(Në foto: Manushaqe Demolli, e ëma e foshnjes që ndërroi jetë në spitalin e Korçës)

REAGOJNE MJEKET, KOLLCINAKU: FEMIJA LINDI ME ASFIKSI AKUTE
Pas denoncimeve të bëra nga familjarët e foshnjës që ndërroi jetë në spitalin e Korçës vetëm disa orë pas lindjes, kanë reaguar edhe mjekët. Shefi neonat, Edion Kollçinaku, mjek pediatër për të sapolindurit, tha se “lindja e fëmijës ishte normale, por pas lindjes, fëmija ishte shumë rëndë”.
 
“Kemi kërkuar ta transportojmë në Tiranë por familjarët nuk kanë pranuar. Fëmija ka lindur me asfiksi akute e rende”, tha mjeku neonat Edion Kollçinaku.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)