KORCE - Rreth 80 punëtorë të firmës greke të rrobaqepsisë “Europlex” në qytetin e Korçës ende nuk janë shpërblyer financiarisht për punën e tyre nga firma, e cila ka mbyllur dyert e saj prej një viti.
Firma ka dy bashkëpronarë, një shqiptar Juxhin Andrea dhe një grek Vasili Anastasjalli, teksa ky i fundit shprehet se kjo gjendje është për shkak të shtetit shqiptar, e i cili sipas tij nu ka respektuar kontratën dhe ka kërkuar ndaj kompanisë që të lirojë truallin. Policia e Korçës njofton se ndaj dy bashkëpronarëve ka nisur procedimi penal për shkak të mos pagesës ndaj punëtorëve.

PUNETORET: S’KEMI MARRE ASNJE PERGJIGJE POZITIVE
Punëtoret shprehen për kamerën e Tv A1Report, se për rastin e tyre i janë drejtuar dhe Drejtorisë së Policisë duke denoncuar për mospagesë të pagave pronarët, njëri prej të cilëve, investitor grek. Pas mbylljes së aktivitetit investitori grek,Vasili Anastasjalli është larguar nga qyteti, ndërsa pronari tjetër shqiptar, Juxhin Andrea nuk ka pranuar t’i përgjigjet kërkesave të tyre, për shlyerje të detyrimeve financiare. Punëtorët e firmës së rrobaqepsisë “Europlex” pohojnë gjithashtu se nuk kanë marrë pagën e një muaji, me shuma që kapin vlerën e 20-35 mijë lekëve të reja.

PROCEDIM PENAL DY BASHKEPRONAREVE TE FIRMES
Lidhur me rastin në fjalë nga uniformat blu të qytetit të Korçës bëhet e ditur se ka filluar procedimi penal ndaj shtetasve Juxhin Andrea 42 vjeç me banim në Korçë dhe shtetasit grek Vasili Anastasjalli, që të dy bashkëpronarë të firmës “Europlex”. Hetimet kanë filluar duke e konsideruar këtë mospagesë të punonjësve të firmës private si mashtrim, ndërsa është kërkuar që çështja t’i kalojë dhe prokurorisë.

INVESTITORI GREK AKUZA: SHTETI SHQIPTAR NA THA TE LIRONIMIN TRUALLIT
Ndërkohë në një letër dërguar punonjëseve, investitori grek akuzon shtetin shqiptar për prishje të kontratës dhe lënien në mes të rrugëve të punonjësve. Në letrën e tij investitori grek, Vasili Anastasjalli deklaron gjithashtu se kontrata me shtetin shqiptar ishte për 32 vjet, por për arsye ende të paqarta u është kërkuar largimi dhe lirimi i truallit ku strehohej shoqëria “Europlex”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)