KORÇE - Vidhen flamujt kombëtarë të vendosur për 100-vjetorin e pavarësisë në qytetin e Korçës. Dhjetëra flamuj që dekoronin dy bulevardet kryesorë, atë “Republika” dhe “Shën Gjergji” janë vjedhur gjatë natës nga qytetarët.

Për këtë rast ka reaguar dhe kryetari i bashkisë Korçë, Niko Peleshi, i cili është shprehur se nuk është patriotizëm që flamujt të vidhen nga bulevardet kryesorë dhe të vendosen në dritaret e shtëpive. Këto veprime sipas kreut të bashkisë nuk bëjnë gjë tjetër veçse e turpërojnë qytetin.

”Nisur nga vjedhjet e shumta dhe të njëpasnjëshme të flamujve dekorativë në rrugët e qytetit dëshiroj të them që nuk është patriotizëm të vjedhësh flamurin apo të grisësh flamurin të vendosur qoftë edhe në ballkonin e shtëpisë. Është minimumi i patriotizmit të paguash nga kursimet një shumë modeste për të blerë një flamur dhe për ta mbajtur tek ballkoni i shtëpisë, pa llogaritur këtu dëmin e madh që i shkakton buxhetit të bashkisë, forcave tona të cilat çdo ditë ripërtërijnë dekorin e qytetit. I bëj thirrje qytetarëve të Korçës të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj këtij fenomeni që na turpëron. Bëj apel me forcë që e gjithë qytetaria të mbaj qëndrime ndaj këtyre veprimeve dhe të distancohet pasi janë veprime që nuk na nderojnë”, u shpreh Peleshi për kamerën e Tv A1 Report.

Pavarësisht këtyre veprimeve jo qytetare, kryebashkiaku Niko Peleshi ka pohuar gjithashtu se Korça do të festojë 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, më shumë se çdo qytet tjetër.

(eç/shqiptarja.com)