Korçë-Policia e Korçës ka zbardhur dhe dokumentuar dy raste të vjedhjes së bizneseve në qytet, duke vënë në pranga autorin e dyshuar.
Në pranga është vënë V. I., 28 vjeç, banues në Korçë, i shpallur më parë në kërkim, i dënuar edhe më herët për vjedhje. Ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja e kryer më shumë se një herë”.
Po ashtu, në flagrancë është arrestuar edhe A. Z., 29 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhej me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Në banesën e tij u gjetën sende të vjedhura nga 28-vjeçari.
29-vjeçari akuzohet për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe rezulton i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Njoftimi i polivisë:
Korçë/ Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Zbardhen dhe dokumentohen 2 raste të vjedhjes së bizneseve në qytet, kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim, si autor i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.
Arrestohet edhe një shtetas tjetër, i cili mbante në banesën e tij, ku ndodhej me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, sende të vjedhura nga 28-vjeçari.
Sekuestrohet një televizor i vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, identifikuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim:
V. I., 28 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vjedhja e kryer më shumë se një herë”, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së pronës.
Si dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:
A. Z., 29 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi V. I., 28 vjeç, është autor i vjedhjes së 3 televizorëve në lokalin e një shtetasi dhe i një shume parash në një furrë buke, në lagjen nr. 7, Korçë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Z. (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”), iu gjet njëri prej televizorëve të vjedhur nga shtetasi V. I., i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, ngjarje në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Komente






