KORÇE - Ekzekutohet me një plumb në kokë, Jani Kollçinaku, i njohur nga policia si shitës droge, pasi është dënuar më parë me 6 vite burg. Kollçinaku, 37-vjeçar nga fshati Miras i Devollit, u gjet i pajetë në mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Korçë- Bilisht pranë nënstacionit elektrik të Zëmblakut. Sipas ekspertëve, dyshohet se vrasja mund të jetë kryer në një vend tjetër dhe jo në vendin ku u gjend trupi i viktimës, i hedhur në një kanal në anë të rrugës kryesore. Kollçinaku, i njohur ndryshe si "Landi i Mirasit", u gjet nga disa banorë të zonës aty pranë të cilët njoftuan policinë, ku evidentoheshin lehtë plagët në kokë.

Fillimisht viktima nuk është njohur për faktin se nuk ishte banor i zonës, por më pas ai është identifikuar si Jani Kollçinaku. Dyshimet e para të policisë ishin orientuar mbi dy pista atë të një aksidenti të mundshëm rrugor, apo të një vrasjeje me dashje.  “Gjithashtu dyshohet se vrasja, mund të jetë kryer në një vend tjetër dhe jo në vendin ku u gjend trupi i viktimës.

Nga ana e Strukturave të Policisë, është bërë shoqërimi në Komisariat i disa personave për të marrë deklarimet e tyre, në lidhje me këtë ngjarje. Shtetasi Jani Kollçinaku, njihet si person me precedent penal të mëparshëm i dënuar me 6 vjet heqje lirie per veprën penale "Trafikim i lëndëve narkotike"”, thuhet në deklaratën e Policisë. Pas këqyrjes së kryer nga ekspertë kriminalistë dhe mjekë ligjorë është konfirmuar se ai vrarë. Nga veprimet e para të kryera nga policia në vendin e ngjarjes, në pjesën e pasme të kokës janë vënë re se disa dëmtime të shkaktuara nga goditje me sende të forta.

Menjëherë pas veprimeve të para në vendin e ngjarjes, policia nisi hetimet për zbardhjen e motiveve dhe shkakut të vrasjes. Dyshimet e policisë lidhen me aktivitetin e të vrarit, pasi sipas tyre ai ka qenë person me tendenca kriminale, i identifikuar prej hetuesve si i përfshirë në shitje shpërndarje e trafik droge, dhe vjedhje të automjeteve. Për shkak të problemeve që ai ka pasur me ligjin, Kollçinaku ka ndërruar herë pas here identitetin e tij. Policia ende nuk ka ndonjë të dyshuar për ngjarjen, ndërsa kanë nisur shoqërimet e personave me lidhje shoqërore. Burimet kanë bërë të ditur se po hetohet në disa pista, ku kryesoret mbesin ato të pazareve për trafikun e lëndëve narkotike, por dhe të ndonjë përplasje që ai mund të ketë pasur me persona të ndryshme. Ndërsa kanë nisur dhe kërkimet për të zbukuar vendin se ku është ekzekutuar Kollçinaku.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)