Një ditë pas ngjarjes që ngriti dyshime për helmim në një kopsht publik në Korçë, një prej prindërve ka rrëfyer për Report TV momentet e panikut që përjetoi pasi djali i tij u kthye në shtëpi me shqetësime dhe pak orë më vonë përfundoi në spital.

Koço Xexo tregon se fillimisht djali u ankua vetëm për dhimbje barku, por gjendja u përkeqësua shumë shpejt.

“Më pas fjeti, u qetësua dhe kur u ngrit nisi të vjella. Të vjellat u bënë më të shpeshta dhe arritëm në një moment që u trembëm shumë. Fëmija humbi pothuajse fare fuqinë dhe u zverdh. Në atë moment u nisëm menjëherë drejt spitalit.”

Në spital, thotë ai, kuptoi se nuk bëhej fjalë për një rast të izoluar.

“Duke folur me prindërit e tjerë dëgjuam që kjo kishte ndodhur pothuajse masivisht te fëmijët e kopshtit. Dikush kishte simptoma më të lehta, dikush më të rënda. Aty pashë që u trajtuan edhe 5-6 fëmijë të tjerë.”

Sipas Xexos, në drekë fëmijët kishin konsumuar pilaf me copa mish pule dhe kos. Ai thotë se mjekja, pas analizave, i tha se dyshonte për helmim nga produktet ushqimore.

“Djalit tim i bënë analiza të plota. Mjekja më tha se dyshonte për helmim nga ushqimi. Qëndruam mbi pesë orë në spital dhe më pas dolëm me mjekim.”

Prindi beson se numri i fëmijëve që shfaqën simptoma ishte më i lartë se ata që u paraqitën në spital.

“Me sa dëgjova nga prindërit, mund të kenë qenë rreth 20 fëmijë. Një pjesë përfunduan në spital, por pothuajse të gjithë shfaqën simptoma. Disa madje edhe ditën pasardhëse.”

Ai tregon se prindërit u përpoqën të kontaktonin drejtuesit e kopshtit, por pa sukses.

“Shumë prindër e telefonuan drejtoreshën disa herë, por nuk morën përgjigje. Ndërsa edukatorja erdhi në spital dhe u interesua për fëmijët.”

Pavarësisht dyshimeve, Xexo thotë se nuk beson se ngjarja ka qenë e qëllimshme, por kërkon që hetimet të zbardhin shkakun.

“Mund të ketë qenë pakujdesi ose problem me kontrollin e produkteve. Kërkojmë më shumë kontrolle dhe përgjegjësi, sepse bëhet fjalë për fëmijë shumë të vegjël.”

Gjashtë fëmijë u paraqitën të premten në spitalin e Korçës me simptoma gastrointestinale, pak orë pasi kishin konsumuar drekën në një kopsht publik të qytetit. Autoritetet po hetojnë nëse simptomat janë shkaktuar nga ushqimi apo nga një virozë, ndërsa fëmijëve u janë marrë mostra për analiza.

Për ngjarjen, policia ka nisur procedim penal për shpërdorim detyre ndaj drejtoreshës së kopshtit dhe një mjekeje të pediatrisë. Sipas policisë, drejtoresha dyshohet se nuk ka kryer verifikimet për ushqimin e konsumuar nga fëmijët, ndërsa mjekja nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese për rastin. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e simptomave të shfaqura te fëmijët.