KORÇË-Një 54-vjeçar është arrestuar ditën e sotme, pasi gjatë kontrollit në banesë dhe në lokalin në pronësi të tij i janë gjetur një pistoletë me mulli, fishekë dhe 40 mijë euro.
Në pranga ka rënë D.Ç., 54 vjeç, banues në fshatin Dishnicë. Siç njoftojnë uniformat blu, 54-vjeçari nuk justifikonte sasinë e parave që kishte në banesë. Paratë e sekuestruara ishin në prerje 50, 100, 200 dhe 500 eurove.
"Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrolli që shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ushtruan në lokalin dhe më pas në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me mulli, me 6 fishekë luftarakë pa leje, si edhe rreth 40 000 Euro, sasi monetare kjo e pajustifikuar nga 54-vjeçari", njofton policia.
Mbi të rëndon akuza për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".