KORE- Kapiteni i tragetit koreano-jugor "Sewol", Lee Joon-Seok u dënua me 36 vjet burg për neglizhencë, pasi lejoi vdekjen e udhëtarëve të tragetit të cilin ai drejtonte. Lee ishte kapiteni i tragetit, i cili në prill të këtij viti u fundos duke lënë të vdekur 304 nga 476 udhëtarët që ndodheshin në bord. Gjykata e Koresë Jugore ka refuzuar aktakuzën e prokurorisë në të cilën Lee akuzohet për vrasje. Ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit është dënuar me burgime nga pesë deri në 27 vjet. Ndërkohë që Gjykata ka lënë të hapur mundësinë e ankesës brenda shtatë ditëve nga dhënia i dënimit.
 
Trageti "Sewol" me peshë 6.325 ton lundronte në jug në drejtim të ishullit Byungpoong kur pësoi aksidentin. Kapetani Lee e ka braktisur drejtimin gjatë kohës që pasagjerët ishin në traget, ndërkohë që nuk janë gjetur ende trupat e nëntë pasagjerëve të tjerë, kërkimi për të cilët ka përfunduar. Më herët, presidenti i Koresë së Jugut, Park Geun-hye e ka cilësuar këtë aksident si vrasje.
 
Ndërsa kapiteni Lee ka pranuar se reagimi i parë ndaj aksidentit nuk ishte efektiv duke kërkuar falje për këtë. Pas akuzave se nuk ka bërë sa duhet për të mbrojtur dhe shpëtuar viktimat, kryeministri i vendit Chung Hong-Won dha dorëheqjen.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)