KORE E JUGUT- Së paku 16 vetë janë vrarë dhe 11 janë të plagosurit në një aksident të rëndë gjatë një koncerti pop në Seongnam, në jug të Seulit, Kore e Jugut. Sipas zyrtarëve një strukturë hekuri për ventilimin e një parkingu nëntokësor është shembur gjatë koncertit dhe një grup fansash kanë rënë nga një lartësi prej gati 10 metrash.
 
Personat në fjalë po ndiqnin një koncert live të një prej bandave muzikore më të njohura në vend, 4MINUTE. Tragjedia ndodhi pasi një pjesë e publikut, për të parë më mirë koncertin, kishte hipur mbi strukturën e brishtë duke shkaktuar dhe shëmbjen e kësaj të fundit.
 
"Dymbëdhjetë persona vdiqën në vendin e ngjarjes, dy të tjerë humbën jetën ndërsa ishin duke u transportuar për në spital. Ndërsa dy të tjerë supozohet se kanë ndërruar jetë duke marrë trajtim mjekësor "- ka deklaruar një zyrtar lokal për mediat e Koresë së Jugut.
 
Rreth 700 persona ishin present në koncertin në fjalë, i cili ishte dhe pjesë e një festivali lokal që po mbahet në Pangyo Techno Valley, një kompleks nën pronësinë e firmave Hi-Tech të vendit. Ndërs mbi strukturën e ventilimit, që u shemb pak pas fillimit të koncertit, kishin hipur rreth 30 persona.

koncerti kore
(Në Foto: Forcat e ndihmës së shpejtë ndërsa tentojnë të nxjerrin personat e rënë në tunel)
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)