GJERMANI - Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ftoi Kinën që të përdorë ndikimin e saj mbi Korenë e Veriut për të ndalur "kërcënimet dhe provokimet" e saj, të cilat rrezikojnë izolimin dhe shtimin e varfërisë në Korenë e Veriut.

Westerwelle e mirëpriti mbështetjen e Kinës për sanksionet e vëna nga Kombet e Bashkuara në Korenë e Veriut, duke bërë thirrje se lufta retorike, provokimet dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare, duhet të përfundonin. Ai tha se Bashkimi Evropian do të diskutojë javën e ardhshme, mbajtjen dhe rritjen e presionit ndaj Koresë së Veriut në përgjigje të përshkallëzimit më të fundit dhe retorikës së luftës.

Pak më parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi njëzëri sanksione të reja kundër Koresë së Veriut, në përgjigje të testit bërthamor të saj, që përbën kërcënim jo vetëm për rajonin, por për gjithë sigurinë në botë.

Prej sanksioneve të vendosura nga OKB-ja mund të përmendim ndalimin e firmave, që bëjnë tregti lëndësh që mund të përdoren për prodhim armësh apo të furnizimeve me disa lloje alumini, që përdoren për ndërtimin e rraketave bërthamore.

Redaksia online
(l.ç/ar.sh/shqiptarja.com)