Koreja e Veriut ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve të SHBA-së, Japonisë, Australisë dhe Indisë për heqjen dorë nga programi i saj bërthamor, duke deklaruar se denuklearizimi “nuk do të ndodhë kurrë”.
Reagimi erdhi pasi ministrat e jashtëm të vendeve të grupimit Quad riafirmuan angazhimin për denuklearizimin e Phenianit në një deklaratë të përbashkët pas takimit në Nju Delhi.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA), një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut e cilësoi Quad-in si “një mjet politik dhe diplomatik në shërbim të strategjisë amerikane për dominim unipolar”.
Pheniani dënoi gjithashtu atë që e quajti “qëndrim armiqësor” të grupit dhe akuzoi Quad-in se po përdor bashkëpunimin rajonal për të justifikuar riarmatimin e Japonisë dhe forcimin ushtarak të Australisë.
Koreja e Veriut theksoi se do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë, duke kundërshtuar aleancat që, sipas saj, nxisin përplasje dhe tensione në rajon.
Komente








