Pas tre ditësh intensive aktivitetesh artistike dhe tre koncertesh të suksesshme në Savigliano, Piemonte në Itali, Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e përmbylli pjesëmarrjen e tij në Festivalin Ndërkombëtar të Kantos Korale “Sergio Chiarlo”, duke lënë një përshtypje të shkëlqyer te publiku dhe organizatorët.
Festivali u zhvillua nga data 5 deri më 7 qershor dhe mblodhi kore nga vende të ndryshme të botës, në një atmosferë shkëmbimi kulturor dhe artistik.
Gjatë tri netëve të festivalit, kori shqiptar solli me profesionalizëm dhe ndjeshmëri repertorin tonë kombëtar, duke promovuar vlerat më të mira të muzikës korale shqiptare. Një nga momentet më emocionuese ishte interpretimi në gjuhën shqipe i fragmenteve nga opereta “Karnavalet” e kompozitorit të shquar shqiptar Avni Mula, të cilat u pritën me interes dhe duartrokitje të gjata nga publiku italian.
Në sallën e Bashkisë së Savigliano, artistët shqiptarë u pritën zyrtarisht nga autoritetet vendore dhe organizatorët e festivalit. Takimi u karakterizua nga një atmosferë miqësore dhe vlerësuese, ku u shkëmbyen dhurata simbolike dhe mesazhe bashkëpunimi me përfaqësuesit e koreve pjesëmarrëse, duke forcuar urat e dialogut kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pjesëmarrja e Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në këtë festival dëshmoi edhe një herë nivelin artistik të trupës dhe rëndësinë e diplomacisë kulturore shqiptare në skenat ndërkombëtare. Përmes muzikës, artistët shqiptarë jo vetëm prezantuan traditën tonë të pasur korale, por u bënë ambasadorë të kulturës dhe identitetit kombëtar në zemër të Piemontes.
Komente







