Koronavirusi/ Basha: Mjekëve u janë dhënë maska të skaduara, akt kriminal! Përgjigjet Rama: Shpifje nga persona që kërkojnë pushtetin me rrëmujë (VIDEO)

TIRANË- Në fillim sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmet Bardhi dhe më pas kryedemokrati Lulzim Basha ka denoncuar se mjekëve u janë dhënë maska të skaduara që në 2011 nga ministria e Shëndetësisë, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit. Duke e cilësuar si një akt kriminal i bërë me vetëdije nga Ministria e Shëndetësisë, Basha i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet, me argumentin se po u rrezikohet drejtpërdrejtë jeta e personelit mjekësor. 

"Në qëndra shëndetësore janë shpërndare 1.2 milionë maska të skaduara që në 2011. Maskat e skeduara, akt kriminal. Ftoj Prokurorinë të nise menjëherë hetimin. Maskat e skeduara tregues se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme. Qeveria me vetëdije ka shpërndare maskat e skaduara duke u vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës. Maskat e skaduara rrezikojnë personelin shëndetësor, familjarët dhe pacientët. Personeli shëndetësor rrezikon me maska të skaduara. Ata kthehen në viktimat e para dhe transmetues të virusit te qytetarët. Kjo është papërgjegjshmëri totale. Spitalet janë totalisht të papërgatitura për fluksin, e kam fjalën për ata që do kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore. Kapacitetet aktuale nuk kalojnë 120 njësi të përgatitura për të trajtuar 120 të infektuar, që ju kërcënohet jeta. Kjo është kronikë e një dështimi”, tha Basha nga selia blu.

Megjithatë ka qenë i menjëhershëm reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar gjithë këtë akuzë si një shpifje që vijnë nga njerëz që kërkojnë të marrin pushtetin me sherr dhe rrëmujë, duke shfrytëzuar momente të vështira për vendin, si tërmeti dhe së fundmi koronavirusi.

"Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: Maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin, s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm", shkruan Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Deklarata e plotë e Bashës nga selia blu

Rastet e personave të infektuar nga koronavirusi sa vinë e po rriten. Siç ju thashë dje, nuk është kohë për panik, por është koha për kujdes. Kjo është, në radhë të parë, një thirrje për të rritur kujdesin dhe jo panikun. Nëse vihemi në panik, nuk do të mund të kujdesemi as per veten tonë, as për familjarët tanë dhe, kryesisht për të moshuarit, të sëmurët dhe për njerëzit me imunitet të dobët, të cilët kanë dhe më shumë nevojë. Përvoja botërore tregon se në shumicën e rasteve njerëzit e kanë mposhtur këtë virus. Prandaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen me përpikmëri dhe me përgjegjshmëri këshillat e mjekëve dhe të stafit shëndetësor, duke  shmangur sa të jetë e mundur daljet në ambientet publike dhe kontaktet, duke qenë përmasat e vërtetë dhe reale të infeksionit tani dhe në ditët në vijim janë akoma të panjohura.Mburoja e vetme kundër këtij virusi janë shërbimet shëndetësore, të cilat po punojnë me vetëmohim dhe në kushte aspak të përshtatshme.

Sot dua të ndaj një shqetësim të jashtëzakonshëm, që prek kryesisht mjekët, infermierët dhe stafet shëndetësore. Pak orë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nga terreni denoncoi një fakt tronditës. Kjo është një kuti standarde e atyre që pretendohen se janë 1 milionë e 200 mijë maska me të cilat është pajisur stafi shëndetësor, njëpërdorimshme dhe ku, në qoftë se fokusoni kamerat tuaja, shikoni që në pjesën e poshtme të kutisë ka një pullë të mbivendosur në këtë kuti, e cila nëse hapet, tregon qartë se data e skadencës së këtyre maskave është 2011-a.  Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nisë menjëherë hetimet për vënien në përdorim të maskave të skaduara. Ky është krim ndaj kujtdo dhe në veçanti ndaj stafeve mjekësore që sot po sakrifikojnë gjithçka, edhe shëndetin e tyre për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Ky akt është, po kështu, tregues i qartë se qeveria është jo vetëm e papërgatitur, por dhe e papërgjegjshme.

Me vetëdije është bërë shpërndarja e maskave të skaduara për personelin shëndetësor, të cilave u është vënë një pullë për të mbuluar datën e skadencës. Është provë e një akti të vetëdijshëm kriminal. Me maska të skaduara, pa mjete mbrojtëse të domosdoshme, personeli shëndetësor është i pambrojtur dhe nuk është në gjendje të kryejë detyrat e veta. Kështu rrezikohen vetë personeli shëndetësor, rrezikohen familjarët dhe rrezikohen pacientët. Në vend që të jenë në linjën e parë të shërbimit ndaj njerëzve, ata kthehen, në këtë mënyrë, në viktimat e para dhe në transmetues të virusit tek qytetarët dhe pacientët që kanë nevojë për ndihmë. Kjo është papërgjegjshmëri totale. Ndërkohë spitalet janë të papërgatitura për të përballuar fluksin e pritshëm të pacientëve në nevojë, e kam fjalën për ata që do të kenë nevojë për trajtim në kushte spitalore, në mënyrë që të përballen me pasojat e infeksionit. Kapacitet aktuale të spitaleve shqiptare nuk kalojnë 120 njësi të tilla për të trajtuar njëkohësisht jo më shumë se 120 të infektuar që kanë nevojë për këtë trajtim, përndryshe u kërcënohet jeta.
 
Kjo është kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Prej dy javësh kemi kërkuar marrjen e masave dhe tani që epidemia po përparon, duket haptazi se qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr, nuk  ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Kjo kohë është harxhuar me fjalë të kota, me vënien në gjumë të opinionit publik dhe nënvleftësim të rrezikut që u kanoset qytetarëve shqiptarë nga epidemia e koronavirusit. Është urgjente që kjo sjellje e papërgjegjshme të ndalet menjëherë dhe qeveria të akordojë në radhë të parë fondet e nevojshme për të pajisur stafet mjekësore  dhe spitalet me mjetet e nevojshme dhe cilësorë për t’iu përgjigjur situatës së rëndë.

Ekipet tona në terren kanë raportuar pranë Task Forcës se gjendja në spitalet e Tiranës dhe në spitalet e vendit është e mjerueshme sa i përket, në radhë të parë, pajisjes së personelit shëndetësor me mjetet bazë - maska jo të skaduara, doreza, syze higjienike dhe bluzat e përshtatshme në mënyrë që mjekët, të parët, infermierët, të mos infektohen, por të jenë në gjendje t’u shërbejnë personave që janë të infektuar apo dyshohet se janë të infektuar.

Ndërkohë që një nga faktorët kryesorë për të parandaluar përhapjen është higjiena personale, qeveria ka harruar mijëra bashkëqytetarë që ndodhen  në kushte të mjerueshme  për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe që jetojnë në mungesë të një strehe akoma nëpër çadra apo janë rikthyer në banesat e dëmtuara, në kushte aspak të favorshme higjienosanitare dhe me mungesa të theksuar në ushqime, në ujë dhe në medikamente. Edhe njëherë të dashur qytetarë, ju thirrje që të mos neglizhoni asnjë shenjë rëndimi apo përkeqësimi të shëndetit tuaj, por t'u drejtoheni mjekëve dhe specialistëve të fushës. U bëj thirrje mjekëve dhe specialistëve të dëgjohet zëri i tyre, të flasin qartë dhe pa ndroje, të tregojnë se çfarë mungesash kanë, të bëjnë kërkesa, të bëjnë kërkesat e tyre për mjetet që u mungojnë, sepse nesër mund të jetë shumë vonë.
 
Qeveritë shkojnë e vijnë, shëndeti i qytetarëve dhe personeli shëndetësor janë parësor në këtë situatë dhe është në dorën tuaj të evidentoni mungesat dhe të bëni kërkesat, që këto mungesa të plotësohen për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve. Të dashur qytetarë, nuk duhet të keni asnjë fije dyshimi, Shqipëria ka personel shëndetësor të shkëlqyer, profesional dhe të aftë për t’iu përgjigjur në lartësinë e duhur sfidës së çdo situate eventuale të përhapjes së koronavirusit. Detyra e qeverisë është të sigurojë kushtet dhe jo të bëjë shfaqje apo propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë, personeli ynë shëndetësor, infermierët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet. Nga ana tjetër, qeveria duhet të ketë plan të saktë dhe të qartë të karantinës, e cila duhet të ishte gati, por, siç mësuam, fondi për ngritjen e saj është akorduar vetëm një ditë më parë.  Ashtu siç kam kërkuar edhe një ditë më parë, është e domosdoshme që pas mbylljes së shkollave, kopshteve, çerdheve shteti të paguajë në rastin e sektorit publik apo të kompensojë, në rastin e punonjësve të sektorit jopublik, njërin nga prindërit që të kujdeset për fëmijët. Grupi i punës pranë Partisë Demokratike po monitoron me seriozitet masat e marra për përballimin e epidemisë dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshëm të saj, sikundër po u përgjigjet pyetjeve dhe interesit të qytetarëve që janë natyrshëm të shqetësuar.

Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të përditësuar me informacionet tona, ndërkohë që do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të kërkojmë llogari për gjithçka që është përgjegjësi e autoriteteve. Ndërkohë, edhe një herë, ju bëj thirrje qytetarëve: Pa panik, por me kujdes maksimal të konsiderojmë këtë sfidë si një  mundësi që, përmes kujdesit të shtuar, të ruajmë shëndetin tonë personal, shëndetin e familjarëve dhe shëndetin e të afërmëve tanë, duke respektuar në mënyrë rigoroze rekomandimet e bëra botërisht të njohura edhe nga OBSH dhe duke iu vënë veshin fjalëve të specialistëve të mjekëve dhe personelit shëndetësor.


Lajmi kryesor:

1.2 milionë maska të skaduara/ Basha: Po rrezikoni jetën e mjekëve, akt kriminal! Rama: Po helmoni mendjen e qytetarëve, nuk janë të rrezikshme


B.K./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'