Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho bën thirrje që kryeministri Rama të veprojë pa vonesë në lidhje me situatën e krijuar nga Covid 19, pasi për të nuk po bën mjaftueshëm dhe se kjo është një betejë për jetë a vdekje. Spaho thekson se nëse do të kishte dëgjuar opozitën dhe marrë masat që kur filluan sirenat e alarmit në Italia, vendi nuk do të ndodhej në këtë gjendje. Demokrati shprehet se ende nuk dihet se sa respiratorë ka vendi dhe se Rama duhet të kishte marrë masa më herët dhe të mos hapte me urgjencë në kohë krize tender për 24 orë për to.

"Po të vepronte në kohë Edi Rama nuk do të kishte njerëzit në çadra sot, apo në banesa të dëmtuara, edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga tërmeti. Po të vepronte Edi Rama që kur filluan të binin sirenat e alarmit në Itali dhe Kryetari i Opozitës Lulzim Basha kërkoi marrjen e masave, nuk do kishim një situatë kaotike sot dhe personat e infektuar do ishin nën mbikëqyrje mjekësore siç ligji e kërkon. Po të vepronte Edi Rama në kohë do kishim një numër të konsiderueshëm respiratorësh dhe jo në mes të krizës të hapej me urgjence për 24 orë tenderi. Ende sot nuk e dimë numrin e respiratorëve që kemi në dispozicion", shkruan Spaho

Në lidhje me 9 rastet e mjekëve të infektuar, Spaho tha se nëse Rama do të kishte dëgjuar opozitën do të kishte pajisur mjekët me veshjet mbrojtëse. Sa për tenderat dhe koncesionet me PPP, Spaho thotë se paratë të mos i jepen oligarkëve por të investohet te qytetarët në nevojë në këtë situatë krize që po kalon vendi.

"Por të vepronte në kohë Edi Rama, qe kur i bëri thirrje opozita, do i kishte pajisur mjekët me veshje mbrojtëse dhe nuk do të rrezikonin shëndetin, kur deri tani zyrtarisht kemi 9 mjekë dhe infermierë të infektuar e shumë të tjerë në karantinë dhe që presin të bëjnë testin. Po të vepronte Edi Rama në kohë, paratë do kishin shkuar tashmë nga oligarkët tek qytetarët në nevojë. Akoma sot nuk dihet si do ndahen ato pak para të dedikuara nga Akti Normativ. Ndërkohë që dihet që mijëra familje janë sot në pamundësi për të mbijetuar", shkruan Spaho

"Sot beteja është për jetë a vdekje! Edi Rama duhet të dëgjojë dhe të veprojë pa vonesë, për qytetarët jo për opozitën", mbyll postimin e tij në Facebook demokratik Edmond Spaho.