Koronavirusi vjen në Shqipëri/ Nga mbyllja e shkollave, tek pezullimi i fluturimeve e lundrimeve. LISTA e të gjitha aktiviteteve që anulohen (VIDEO)

TIRANË - Me identifikimin e të prekurve të parë me koronavirus në Shqipëri, qeveria vuri në fuqi planin e veprimit, hartuar sipas orientimeve dhe protokollit të përgjithshëm të OBSH-së që konsiston në 3 pika. Kufizimi, me qëllim parandalimin e  përhapjes; Vonimi, shtyrja në kohë e përhapjes së infeksionit dhe lehtësimi i pasojave që mund të sjellë infektimi me COVID-19.

Në mbledhjen e parë të qeverisë pas 2 të prekurve me koronavirus, babë e birë, kryeministri Edi Rama lajmëroi pezullimin deri më 3 prill të fluturimeve dhe lundrimeve drejt veriut të Italisë, zonës së kuqe prekur nga infeksioni, pezullimin e të gjitha shkollave me 2 javë si dhe shtroi kërkesën për anulimin e të gjitha grumbullimeve masive kulturore, sportive, aktivitete, dëgjesa publike, koncerte, e dëgjesa publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Koronvirusi shtyn mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës

Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka shtyrë mbledhjen e planifikuar për nesër për shkak të situatës nga koronavirusi.  "Në mbështetje të masave te marra nga institucionet qendrore shteterore, per shkak te situates se krijuar nga prezenca ne vendin tone te rasteve me COVID-19, ju njoftoj se mbledhja e Keshillit Bashkiak e planifikuar per neser date 10.3.2020, do te shtyhet deri ne nje njoftim te dyte" thuhet në deklaratë.

Ora 16:14
Drejtuesi i OBSH-së: Qeveria shqiptare i mori masat kundër koronavirusit në kohën e duhur

1583766889_manastrliu.jpg
Kreu i OBSH në Shqipëri vlerësoi masat e marra nga qeveria shqiptare pas konfirmimit të rasteve me COVID-19.  “Masat e marra sot nga qeveria shqiptare janë shumë të mira dhe janë marrë në kohë për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo gjë nuk u realizua brenda ditës në Itali, duke humbur kohë për marrjen e masave që janë të efektshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, u shpreh Gonzales, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë së Shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu i dorëzoi drejtuesit të OBSH për Shqipërinë Raul Gonzales planin e veprimit për masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren për të adresuar këtë ngjarje të pazakontë të shëndetit publik.

“Qeveria shqiptare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me rekomandimet direkte të ekspertëve kanë hartuar një plan masash për t’u ndjekur sipas të gjithë skenarëve të parashikuar, duke filluar që nga identifikimi i rasteve të para, karantimi i pacientëve, identifikimi i personave të kontaktit”, tha Manastirliu.

Gjatë mbledhjes së Task-Forcës u raportua nga Instituti i Shëndetit Publik për gjurmimin e kontakteve të personave të konfirmuar me COVID-19 dhe punën që po bëhet në terren për kufizimin e përhapjes së koronavirusit. Gjithashtu nga Spitali Infektiv doktoreshë Najada Çomo raportoi se dy personat e prekur që po marrin shërbim në spitalin Infektiv janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore dhe pa komplikacione.

Në takimin e radhës të Task Forcës, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor raportoi se po monitorohet me rigorozitet respektimi i kushteve higjieno-sanitare. Më herët, gjatë ditës së sotme, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u bënë publike dhe urdhrat për menaxhimin e situatës që nga pezullimi i procesit mësimor në institucionet arsimore publike dhe jo publike, vetëkarantinimin e detyruar, anulimin e grumbullimeve masive, etj.

Ora 15:14
Bashkia e Kukësit ndalon aktivitetet! Mbyllen çerdhet dhe kopshtet! DezinfektoheN automjetet e transportit publik

Bashkia Kukës ka ndaluar të gjitha aktivitet që parashikohet të kenë fluks personash deri në datë 3 prill. Gjithashtu pas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, janë mbyllur të gjitha kopshtet dhe çerdhet si dhe janë marrë masa për dezinfektimin e tyre, por edhe të mjeteve të transportit publik.

Njoftimi i Bashkisë së Kukësit

Sot u mblodh Këshilli i Sigurisë Vendore , ku u vendos të merren masa të menjëhershme për mbylljen e institucioneve vendore arsimore si kopshte dhe çerdhe si dhe gjithashtu për dizifektimin e te gjitha kopshteve dhe çerdheve. 
Janë të ndaluara deri me datë 3 prill , të gjitha tubimet , takimet dhe aktivitetet e tjera që kanë fluks personash. Drejtoria Shërbimeve pranë Bashkisë Kukës ka marrë masat për dizifektimin e të gjithë ambjenteve dhe institucioneve publike por si dhe mjetet e transportit publik siç janë autobuzat dhe furgonat që vijnë nga Tirana si dhe qytete të tjera. Eshtë vendosur një linjë e mirë koordinuar mes te gjithë institucioneve për marrjen e të gjithë masave të duhura për parandalimin dhe trajtimin e kësaj situate.

Ora 14:58
Balluku: Pezullimi i transportit detar dhe ajror, vetëm për udhëtarët jo për mallrat

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka bërë me dije se urdhri për pezullimin transportit ajror dhe detar është vetëm për udhëtarët dhe jo mallrat. Nga ana tjetër, ajo ka bërë me dije kompanitë ajrore duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve.

"Sot kemi vendosur që të ndërpresim të gjitha akseset e transportit ajror dhe detar në zonat e kuq dhe zonat përreth në Itali. E dimë që është një vendim drastik, por është marrë në një situatë të jashtëzakonshme. Ju bëj thirrje që duhet ruajtur qetësia, nuk ka arsye për panik. Duhet bashkëpunim nga ana e qytetarëve.

Urdhri për ndalimin e fluturimeve u referohet vetëm pasagjerëve. Sa i përket mallrave nuk bëhet fjalë që të kemi pezullim të avionëve cargo. Gjithashtu u referohem edhe aviacionit Civil, që ka lënë të hapur aeroportin e Romës, si një hap për të shpërndarë pasagjerët që bllokohen në destinacionet Europiane. Do ishte shumë mirë që të gjitha kompanitë të merrnin masa në të mirë të qytetarëve, të mbërrijnë në destinacione që të aksesojnë më pas në destinacionin final ku donin të shkonin. Të gjithë pasagjerët që duan të ndryshojnë kohën e biletës, t'u jepet mundësia që ta rirezevojnë për një moment të dytë. Linja Durrës Ancona- Trieste, është një linjë kalendarike për udhëtarët, jo të mallrave. Pezullimi qëndron në fuqi deri në një vendim të dytë", tha Balluku.

Ora 14:34
Anulohen fluturimet/ Studentët italianë kthehen në aeroport: Sa më shumë raki të pishë, aq më shumë jeton (VIDEO)

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta është hasur në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas me një grup studentësh që do të udhëtonin për në Milano, në aeroportin e Malpenza e Italisë ndërkohë që me vete kanë marrë edhe raki. Me anulimin e udhëtimeve, ata janë detyruar të kthehen sërish në Tiranë,

"Do të kthehemi në shtëpi tani. Kemi raki, bën mirë për gjithçka, sa më shumë raki pi aq më shumë jeton. Rakia është zgjidhja e vetme", u shpreh një prej turistëve.

Edhe në aeroportin e Rinasit, ashtu si në pika të tjera kufitare janë rritur masat parandaluese ndaj koronavirusit. Qeveria këtë mëngjes vuri në fuqi planin e veprimit për parandalimin që konsiston në disa kufizime, përfshirë pezullimin e fluturimeve dhe lundrimeve deri më 3 prill, për të shkuar në zonat e kuqe në Itali, që janë izoluar për të ndaluar përhpajen e infeksionit.

1583759493_merakinedores.jpg

Ora 13:29
Nga anulimi i festimeve për ditën e Verës, mbyllja e shkollave dhe qendrave kulturore/ Masat e Bashkisë së Elbasanit për koronavirusin

Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një sërë masash pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri, mes tyre edhe anulimin e të gjitha aktiviteteve për ditën e verës, mbyllja e kopshteve., shkollave dhe qendrave kulturore.

Njoftimi i plote i Bashkise se Elbasanit

Bazuar në urdhërin e Ministrisë së Shëndetësisë nr. 135, datë 09.03.2020 të gjitha institucionet arsimore publike dhe jo publike do të mbyllen për një periudhë dy javore për të parandaluar përhapjen e coronavirusit. 
Po ashtu janë pezulluar deri në 3 Prill të gjitha aktivitetet kulturore e sportive. 
Nisur nga kjo situatë, Bashkia e Elbasanit njofton pezullimin e të gjithë aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës. 
Për të evituar grumbullimet dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, festimet do të pezullohen, por elbasanasit do ta festojnë festën e tyre tradicionale pranë familjeve. 
Në kuadër të masave të mëtejshme mbrojtëse, Bashkia e Elbasanit bën me dije se nga nesër nis dezinfektimi i të gjitha ambienteve të institucioneve arsimore, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për rifillimin e procesit arsimor. 
Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë do të nisë menjëherë dezinfektimi i kontenierëve të mbeturinave në qytet e fshat. 
Po ashtu, do të qëndrojnë të mbyllura deri në datë 3 Prill, Qendra Kulturore e fëmijëve, Teatri “Skampa” dhe Qendra Komunitare rome. 
Bashkia e Elbasanit garanton qytetarët për cilësinë e ujit të pijshëm. Uji i pijshëm garanton të gjitha standardet për konsum, janë marrë të gjitha masat për cilësinë e tij. Analizat e ujit të pijshëm janë të përditshme dhe të çertifikuara. 
Bashkia e Elbasanit do të ketë komunikime të vazhdueshme me qytetarët për çdo masë të marrë në vijimësi, përmes rrjeteve sociale, faqes zyrtare dhe mediave lokale. 
Bashkia e Elbasanit do të krijojë lehtësira për punonjësit e saj që kanë fëmijë të vegjël për t’u kujdesur. 
Të dashur qytetarë, kjo nuk është situatë për panik, por një situatë për t’u kujdesur më shumë për shëndetin dhe higjienën personale. 
MOS NEGLIZHONI këshillat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë. 
Për çdo simptomë, të ngjashme me ato të coronavirus telefononi numrin 127.0.

Ora 13:02
Koronavirusi/ Skënderbeu-Kukësi pa tifozë

Ndeshja e futbollit Skënderbeu-Kukësi do të zhvillohet pa tifozë. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit thanë për Report Tv, se ndeshka që do të luhet në qytetin juglindor sot në 18:00, për shkak të rasteve të shënuara me koronavirus në Shqipëri, do të luhet pa tifozë. 

Kjo do të shërbejë si masë shtesë parandaluese për koronavirusin në kuadër të planit të ri të veprimit që qeveria vuri në zbatim nga dita e sotme me një sërë kufizimesh, veçanërisht ato të aktiviteteve masive publike e private.

Ora 12:55
Bashkia e Shkodrës mbyll shkollat, kopshtet dhe çerdhet! Mësuesit vijojnë të paraqiten në punë

Pas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, Bashkia e Shkodrës ka pezulluar mësimin dhe çdo aktivitet. Shkollat dhe kopshtet janë mbyllur deri në një moment të dytë, ndërkohë që mësuesit do vijojnë të paraqiten në punë për të monitoruar situatën dhe për të mbikëqyrur higjienën.

"Bashkia e Shkodrës, në kuadër të masave të marra për përballimin e situatës së krijuar nga shfaqja e rasteve të para nga koronavirusi në Shqipëri, në mbështetje të urdhrave nga dikasteret qendrore, bën me dije se:

1. Duke filluar nga dita e sotme, pezullohet mësimi dhe çdo aktivitet:

- Në institucione publike dhe jo publike të tilla si: aktivitete sportive, aktivitete kulturore dhe konferenca, tubime dhe takime me pjesëmarrje masive në vende të mbyllura apo të hapura, p.sh. koncerte, tubime dhe dëgjesa publike.

- Në shkolla, kopshte dhe çerdhe dhe qendra në territorin e Bashkisë së Shkodrës, deri në një njoftim të dytë.

2. Stafet e këtyre institucioneve, do të vazhdojnë të paraqiten në detyrë, duke patur si prioritet monitorimin e situatës dhe mbikëqyrjen e higjenës dhe pastërtisë së ambjenteve, në zbatim të orientimeve të OBSH-së.

3. Duke nisur nga dita e nesërme, do të vijojë dizinfektimi i të gjitha institucioneve publike, shkolla, kopshte e çerdhe, qendra në territorin e Bashkisë Shkodër.

4. Banorët në territor, udhëzohen të zbatojnë të gjitha urdhrat e protokollet publike tashmë të institucioneve vendase e të huaja, për përballimin me sa më pak pasoja të situatës, duke shmangur panikun dhe ruajtur qetësinë.

Bashkia e Shkodrës do të jetë në shërbim të banorëve në territor për t'i orientuar për çdo nevojë që ata mund të kenë", njofton Bashkia e Shkodrës.

Ora 12:43
Vendoset perimetri i sigurisë tek Urgjenca e Infektivit në QSUT (FOTO-VIDEO)

Vendoset perimetri i sigurisë tek Urgjenca e Infektivit në QSUT, aty ku po mbahen dy personat e prekur me koronavirus

 

Ora 12:13
Mbyllen kopshtet e çerdhet/ Veliaj: Do t'i japim leje nënave që punojnë në Bashkinë e Tiranës! Pastaj vijojmë me kompanitë e tjera

1582971934_veliaj2.jpg

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i është përgjigjur prindërve të shqetësuar për shkak të mbylljes së koposhteve dhe çerdheve se më kë do t'i lënë fëmijët në shtëpi. Veliaj thotë se sot pasdite do t'i jepet leje të gjitha nënave që punojnë në Bashkinë e Tiranës për t'u pasuar më pas edhe nga institucionet e tjera publike.

"Vendimi i parë ka të bëjë me shëndetin, më pas vijojmë me vendimet për prindërit e punësuar. Duke filluar nga sot pasdite për nënat që punojnë në Bashkinë e Tiranës e që besoj se do të pasohet nga të gjitha kompanitë e qytetit', shkruan Veliaj.

Ora 12:12
Masat ndaj koronavirusit/ Shtohen kontrollet në pikat kufitare (VIDEO)

Pas konfirmimit të dy rasteve të prekur nga koronavirusi në Shqipëri kanë vijuar kontollet në pikat kufitare në vend. Kontrollet janë shtuar në pikën kufitare të Hanit të Hotit, Murriqan, Kapshticë dhe Kakavijë. Disa prej personave që kanë hyrë në Kapshticë ditën e sotme janë shprehur për kamerën e Report Tv se në shteti fqinj nuk janë kontrolluar.

Ora 11:54
Autobusët drejt Italisë kthehen mbrapsht/ Kompanitë: Do rimbursojmë biletat (VIDEO)

Autobusët që ishin nisur drejt Italisë janë kthyer mbrapsht, e ndërsa kompanitë bëjnë me dije se do të rimbursohen biletat.

"U anuluan sot. Na dhanë urdhër për t'u kthyer mbrapsht. Ishim për në Sicili, në jug. Pasagjerët i kemi këtu, do ua kthejmë biletat mbrapsht.

Ishim nisur për në Itali, në Milano po na kthyen mbrapsht. Edhe këta të Siçilisë i kishin kthyer", tha disa shoferë të autobusëve.

Ora 11:51
Mbyllen përkohësisht çerdhet dhe kopshtet, Veliaj: Po vijojmë dezinfektimet nëpër institucione. Do ia dalim (VIDEO)

Në zbatim të planit të masave të marra për parandalimin e prekjes nga COVID 19, të gjithë çerdhet dhe kopshtet në kryeqytet do të qëndrojnë të mbyllura përkohësisht. Paralelisht, Bashkia e Tiranës po vijon me ritëm te lartë dezinfektimet në këto institucione parashkollore që të jenë gati për rihapjen e tyre.

“Vendimi për shkollat vlen edhe për kopshtet e çerdhet! Edhe pse fëmijët nuk paraqesin rrezikshmëri, mund të jenë bartës që prekin më pas gjyshërit e tyre që janë me të rrezikuar. Ndërkohë po vijojmë dezinfektimet që të jemi gati kurdo që vendoset rihapja. Do ja dalim”, thekson Veliaj.

Ora 11:42
Koronavirusi/ Pezullohen të gjitha lundrimet detare drejt Italisë së Veriut

Pezullohen të gjitha lundrimet detare drejt Italisë së Veriut. Një urdhër i tillë është firmosur nga ministrja e Transportit Belinda Balluku dhe hyn në fuqi menjëherë.

-Ndalohen të gjitha  lëvizjet me mjetet e transportit detar nga të gjitha Portet drejt Italisë së Veriut, deri në një urdhër të dytë.

-Ndalohen të gjitha  lëvizjet me mjetet e transportit detar me linjës Durrës-Ancona- Trieste.

-Ngarkohet Auroriteti Portual Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme për zbatimin e këtij urdhri. 

Ora 11:29
Koronavirusi vjen në Shqipëri/ Dezinfektohet porti i Vlorës (VIDEO)

Pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në Shqipëri, Porti i Vlorës është dezinfektuar.

Ora 11:27
Mbledhja e grupit të PS, Kuvendi do të vijojë punën normalisht

Pas mbledhje se grupit të Partisë Sociale, është vendosur që Kuvendi do të vijojë punën normalisht. Mësohet se do të zhvillohen të gjitha Komisionet që ishin parashikuar.

Ora 11:24
Koronavirusi mbërrin në Shqipëri/ Basha anulon dy aktivitete publike të parashikuar për pasditen e sotme

1583420133_bashaa.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur anulimin e dy aktiviteteve publike të parashikuara për pasditen e sotme pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në vendin tonë. Zyra e shtypit të PD njofton se aktiviteti i parë ishte parashikuar në Kalanë e Tiranës, kushtuar grave shqiptare për kontributin e tyre në shoqërinë tonë.

Në këtë aktivitet, ishte parashikuar pjesëmarrja e rreth 300 grave dhe vajzave, dhe sipas PD do të zhvillohet në një moment tjetër, kur shëndeti i qytetarëve të mos konsiderohet i rrezikuar.

I njëjti vendim është marrë edhe për një tjetër aktivitet të Bashës. Ai kishte planifikuar në orën 15.00 një dëgjesë me mësuesit, pjesë e turit Po të dëgjoj, por edhe ky event do të shtyhet për një moment tjetër.

Ora 10:54
Efektivët e rendit në QSUT pajisen me maska dhe doreza për t'u mbrojtur nga koronavirusi (VIDEO)

Efektivët e Policisë të vendosur në QSUT për ruajtjen e rendit dhe sigurisë janë pajisur me maska dhe doreza për t'u mbrojtur nga koronavirusi gjatë kontakteve me persona të tjerë.

Ora 10:51
Vetëkarantinim 14 ditë kush vjen nga 'zona e kuqe', gjobë deri në 5 mln lekë kush nuk bindet

Në kuadër të masave parandaluese për koronavirusin, të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri dhe vijnë nga zonat e kuqe nga shteti fqinj Itali, zona në izolim, duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë në shtëpitë e tyre, dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve. Nëse një person nuk e zbaton këtë urdhër, do të merren masa administrative siç parashikohen në nenin 35 të ligjit numër. 15/2016 për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Gjoba arrin deri në 5 qind mijë lekë të rinj.

Neni 35

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative:

a) mosraportimi i sëmundjeve infektive, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 5, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) mosmarrja e masave të përgjithshme, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, të nenit 6, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë ose, në rast përsëritjeje, me mbyllje të veprimtarisë;
c) mosmarrja e masave të veçanta, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 7, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) refuzimi për vendosjen nën mbikëqyrje shëndetësore, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 17, dënohet me 5 000 (pesë mijë) lekë, për personin objekt i mbikëqyrjes shëndetësore, dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për punëdhënësin e personit objekt i mbikëqyrjes shëndetësore;
d) moszbatimi i kalendarit të vaksinimit të detyrueshëm, mosregjistrimi i personave që duhen vaksinuar, mosmbajtja në kushte i “zinxhirit të ftohtë” të vaksinave, korrigjimi i dokumenteve të vaksinimit, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj, dënohen me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë;
dh) moskryerja e veprimeve të detyrueshme për përballimin e epidemive, sipas përcaktimit të bërë në nenin 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe me mbyllje të veprimtarisë; 31
e) moszbatimi i masave të përcaktuara në shkronjën “dh”, të pikës 1, të nenit 32, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
ë) moszbatimi i masave të domosdoshme për mbrojtjen nga sëmundjet infektive në kohë, sipas detyrave të lëna nga organet kompetente, dënohet me gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Masa e gjobës është dënim kryesor, kur parashikohet si dënim më vete, dhe dënim plotësues, kur jepet njëkohësisht me masën e mbylljes së aktivitetit.

Ora 10:48
URDHRI: Ndalohen familjarët e pacientëve në spitale

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se në të gjitha spitalet do të kufizohet lëvizja e shoqëruesve dhe e familjarëve të pacientëve nëpër spitale. Të vetmet raste të lejuara do të jenë vetëm kur kërkesa është bërë nga drejtoria spitalore. Më parë vizitat ishin me orare, ndërsa tashmë janë ndaluar.

Ora 10:45
Koronavirusi anulon koncertin e Malumës për ditën e Verës në Tiranë

1583747356_maluma.jpg

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka njoftuar anulimin e festimeve për ditën e verës në Elbasan dhe eleminimin e takimeve, trajnimeve masive.

"Çdo gjë sipas udhëzimeve te qeverisë. Higjienë, kujdes ne arka e sportele dhe anulim i aktiviteteve që kishim për Ditën e Verës Elbasan e eliminim mbledhje e takime/trajnime masive si dhe kontroll me i përforcuar ekipit për simptoma te ndryshme. Si një drejtori e madhe shërbimesh me shume kontakt shkresor e fizik me qytetaret do behet kujdes i shtuar me higjienën'.

Urdhri i ri qeverisë për anulimin e grumbullimeve masive se do të sjellë edhe anulimin e koncertit të shumëpritur në kryeqytet të këngëtarit me famë botërore Maluma

Ora 10:44
URDHRI: Anulohen të gjitha aktivitetet kulturore, sportive, publike e jo publike! S'ka tubime deri më 3 prill

Në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit, nga sot është urdhëruar mbyllja e të gjitha aktiviteteve publike dhe jo publike, të tilla si aktivitete sportive, aktivitete kulturore dhe konferenca. Po ashtu, anulohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, të tilla si koncerte dhe dëgjesa publike deri më 3 prill 2020.

Ora 10:41
Mbyllja e shkollave nga koronavirusi/ Studentëve në konvikte u kërkohet të shkojnë në shtëpitë e tyre

Pas njoftimit për mbylljen e shkollave për një periudhë dy javore, burime për Report Tv bëjnë me dije studentët që qëndrojnë në konvikte janë lajmëruar që të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Ora 10:37
Shkollat mbyllen deri më 23 mars, ministrja Shahini: Nuk ka asnjë arsye për panik

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, bëri të ditur se të gjitha shkollat do të mbyllen deri më 23 mars, për një periudhë dy javore nga dita e sotme që hyri në fuqi plani i veprimit për situatën ndaj koronavirusit.

"U vendos nga Task Forca për Koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020. Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi. Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore.

Masat që secili prej nesh duhet të ndërmarrë individualisht:
• Të lajmë duart shpesh për 20 sekonda;
• Të evitojmë takimin deri në 1 m largësi;
• Të evitojmë grumbullimet e njerëzve
", thotë ministrja Shahini.

Ora 10:31
Masat ndaj koronavirusit/ Pezullohen fluturimet drejt 10 aeroporteve të Italisë

Autoriteti Aviacionit Civil ka zbatuar menjëherë urdhrin e qeverisë për të ndaluar fluturimet nga Aeroporti Nënë Tereza drejt 10 aeroporteve të Italisë.

Ndalohen fluturimet e Italisë drejt këtyre aeroporteve

- Aeroporti Milano Malpensa (MXP)
- Aeroporti Milano Bergamo (BGY)
- Aeroporti Bologna (BLQ)
- Aeroporti Firenze (FLR)
- Aeroporti Genoa (GOA)
- Aeroporti Perugia (PEG)
- Aeroporti Pisa (PSA)
- Aeroporti Rimini (RMI)
- Aeroporti Venezia (VCE)
- Aeroporti Verona (VRN)

Autoriteti Aviacionit Civil ka lëshuar menjëherë udhëzimin drejtuar Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror “Albcontrol” për nxjerrjen e njoftimeve të nevojshme për zbatimin e këtij kufizim

Ora 10:30
Koronavirusi/ Në burgje pritet të pezullohen takimet me të dënuarit, Gjonaj takime me stafin shëndetësor (VIDEO)

Edhe në drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve është duke u zhvilluar një mbledhje për situatën e koronavirusit, pas 2 të infektuarve të parë. Pritet urdhri për pezullimin e takimeve sipas masave të Task-Forcës. Kjo, si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Ministrja e Drejtwsisw, Etilda Gjonaj, po kryen takime me stafin shëndetësor të burgjeve dhe drejtuesit për marrjen e masave në burgje për çështjen e coronavirusit. 

Ndërkohë, shtim të masave paraprake ka pasur edhe në ditët e mëparshme ku janë përcjellë të gjitha udhëzimet përkatëse në bazë të komunikimeve që janë përcjellë nga specialistët e shëndetësisë. 

Pritet po ashtu edhe një vendim i këshillit të Lartë Gjyqësor për të mësuar se si do të zhvillohen seancat gjyqësore. Vendimi më i pritshëm është ai për ndalimin e familjarëve në seanca.

Ora 09:48
Pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus/ Dezinfektohet urgjenca e Infektivit në Tiranë (VIDEO)

Pas konfirmimit të dy rasteve të para në Shqipëri, Urgjenca infektive në Qendrës Spitalore Universitare është dezinfektuar. Report Tv sjell pamje nga momenti ku infektivi në QSUT po dezinfektohet.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Selam Ylmi Al-Karbunara: 09/03/2020 19:36

    Flamuri i BE-së vihet karshi atij shqiptar vetëm kur je në BE ndryshe vihet vetëm ai shqiptar

    Përgjigju
  • Aspiratori: 09/03/2020 17:03

    Mos doje te thoje bombola O2 e dashur.aspiratori nuk te jep O2,aspiron sekrecionet.sidoqofte ishte gabim trashanik te lejohesh levizja e lire me italine e cila Po ashtu e nenvleresoi situaten.tani zoti e ruajte shqiperine thoni,edhe fiton kredit politik lulushi me liken.

    Përgjigju
  • Sidorela: 09/03/2020 12:52

    Jetoj ne Rome.Te infektuarit qe kalojn ne polmoni nuk marrin dot frym pa oksigjen.Sa kapacitet kan spitalet shqiptare me aspiratore?Nga eksperienca me mamin spitali i Shkodres duhet te ket rreth 10 aspirator.Nese arrijn 100 veta me polmoni do thot se 90 do vdesin nga mungesa e oksigjenit.A ka llogarit zoti Rama kete situate?Italia eshte ne kriz te madhe per mundese respiratoresh dhe ka urdheruar blerjen e mijera aparateve.Kjo nga komunikatat e vazhdueshme te ministrit te shendetsise.Gjith qeveria eshte ne kembe dit e nate,gjitha mediat japin keshilla prandaj mos nenvlersoni situaten.Qeveritaret e kan te rregulluat bythen e vet,populli fukara ngordh nga neglizhenca e qeveris tone.Nje kryeminister qe kujtohet sot te marr masa kur Italia eshte ne gjendje te jashtzakonshme eshte nje vrases i popullit te vet.

    Përgjigju
    • TONI TIRANE: 09/03/2020 17:47

      VIRUSI ERDHI NGA KINA JO NGA KRYEMINISTRIA @SIDORELA ose SI DO TI. Kushtet tona jane ato qejane dhe mos prit mrekullira. Nuk ka asnje lloj shteti qe ta kete nen kontroll ose ta parandaloje.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë