Koronavirusi kinez/ Shkon në 170 numri i të vdekurve! Konfirmohet dy raste në Itali...vaksina gati në fillim të verës

Koronavirusi kinez/ Shkon në 170 numri i të vdekurve! Konfirmohet dy raste në Itali...vaksina gati në fillim të verës

Koronavirusi i ri 2019 (2019-nCoV, ose Wuhan coronavirus) është përhapur në 21 vende në të gjithë botën, me 7.814 raste të konfirmuara dhe 170 vdekje deri më tani.

Në Shtetet e Bashkuara, ka 5 raste të konfirmuara nga CDC: 1 në Arizona, 2 në Kaliforni, 1 në shtetin Washington dhe 1 në Illinois.

Wuhan, qyteti i origjinës së virusit, është qyteti më i madh në Kinën Qendrore, me një popullsi prej mbi 11 milion njerëz. Qyteti, më 23 janar, pengoi çdo lloj tansporti, duke u izoluar për të penguar shpërhapjen e epidemisë në zonat e tjera. Pas bllokimit të Wuhan, qyteti Huanggang u vendos gjithashtu në karantinë, dhe qyteti i Ezhou ka mbyllur stacionet e trenit, çka tregon se 18 milion njerëz janë vendosur në izolim. Organizata Botërore e Shëndetit tha që bllokimi i një qyteti aq të madh sa Wuhan është "e paparë në historinë e shëndetit publik”, ndërsa vlerësoi Kinën për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për të izoluar virusin dhe minimizuar përhapjen në vendet e tjera.

Gjermania, Japonia dhe Vietnami raportuan rastet e para me pacientë të cilët personalisht nuk kishin vizituar Kinën, por kontraktuan virusin nga dikush tjetër që kishte vizituar Wuhan, Kinë. Këto raste të transmetimit nga njeriu në njerëz janë më shqetësuese, thekson OBSH.

Por, sa ngjitës është Wuhan Coronavirus?

Shkalla e sulmit ose transmetueshmëria (sa shpejt përhapet sëmundja) e një virusi përcaktohet nga kombinimi i shkallës së transmetimit (Ro, i theksuar R-i keq ose r-zero) me shkallën e vdekshmërisë së tij. Për koronavirusin Wuhan, ky parametër vlerësohet të jetë ndërmjet 2.0 dhe 3.1, sipas studimeve paraprake, me një gamë të pasigurisë 1.5-3.5. OBSH vuri në dukje më 23 janar se transmetimi njeri-në-njeri po ndodhte. Mesatarisht çdo rast i Wuhan Coronavirus do të krijonte 2- 3 raste të reja.

Shkalla e vdekshmërisë (Rasti i Fatalitetit ose CFR) i Wuhan Coronavirus

Shkalla e fatalitetit të rastit të koronavirusit aktualisht vlerësohet në rreth 3%, pra 3 vdekje për çdo 100 raste.  Sidoqoftë, pasi provinca Hubei (ku ndodhet epiqendra Wuhan) hiqet nga llogaritja, niveli kombëtar i vdekshmërisë (Kina) bie në 0.3%. Brenda provincës Hubei, shkalla e vdekshmërisë është rreth 1% kur përjashton qytetin e Wuhan (ku është 5,5%). Shkalla e vdekshmërisë mund të ndryshojë pasi virusi mund të mutatojë, sipas epidemiologëve. Për krahasim, shkalla e vdekshmërisë së rasteve me grip sezonal është më pak se 0.01% (1 vdekje për çdo 10,000 raste). Shkalla e vdekshmërisë për SARS ishte 10%, dhe për MERS 34%.

Periudha e inkubacionit (sa kohë duhet që simptomat të shfaqen)

Koronavirusi i ri në Wuhan duket se është ngjitës para se të shfaqen simptomat, pasi vlerësohet të ketë një periudhë inkubacioni nga 10 deri në 14 ditë, sipas Ma Xiaowei, drejtori i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës.

Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve  (CDC) e Shteteve të Bashkuara vlerëson se periudha e inkubacionit për vitin 2019-nCoV të jetë midis 2 dhe 14 ditësh. Kjo do të thotë që simptomat e koronavirusit të ri (2019-nCoV) mund të shfaqen në pak kohë- 2 ditë ose për pak më tepër kohë- 14 ditë, gjatë së cilës virusi është ngjitës, por pacienti nuk shfaq ndonjë simptomë (transmetim asimptomatik).

Vlerësimi i rrezikut të OBSH-së

Kina: Shumë e lartë

Rajoni: I Lartë

Global: E lartë

OBSH nuk e ka deklaruar gjendjen si një Urgjencë të Shëndetit Publik dhe Shqetësim Ndërkombëtar (PHEIC). Komiteti i urgjencës i OBSH-së është mbledhur dy herë (më 22 janar dhe 23 janar) dhe dy herë ka refuzuar të bëjë një deklaratë të tillë. Më 29 janar, OBSH njoftoi se po e rinis Komitetin e Emergjencave në 30 Janar 2020.

Sipas statistikave, çdo vit, rreth 290,000 deri në 650,000 njerëz vdesin në botë për shkak të komplikimeve nga viruset e gripit sezonal (gripit). Kjo shifër korrespondon me 795 deri 1.781 vdekje në ditë për shkak të gripit sezonal.

SARS (nëntor 2002 - korrik 2003): ishte një koronavirus që origjinën nga Pekini, Kinë, u përhap në 29 vende, me 8,096 njerëz të infektuar dhe 774 vdekje (me një normë fataliteti prej 9.6%). Duke marrë parasysh që SARS përfundoi duke infektuar 5,237 njerëz në territorin e Kinës, Wuhan Coronavirus tejkaloi SARS në 29 Janar 2020, kur zyrtarët kinezë konfirmuan 5,974 raste të koronavirus (2019-nCoV).

MERS (2012) vrau 858 njerëz nga 2,494 të infektuar (me një shkallë fataliteti prej 34.4%).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:59
Coronavirus mbërrin në Itali/ Conte konfirmon: Dy rastet e para të konstatuara në vend!

Coronavirus mbërrin në Itali. Një lajm i tillë është konfirmuar nga kryeministri italian, Giuseppe Conte. "Kemi dy raste të konfirmuara të coronavirusit në Itali", tha Conte, teksa shtoi se janë marrë të gjitha masat duke mbyllur trafikun ajror nga Kina. Ministri Roberto Speranza tha se nuk ka vend për alarm.

Ora 16:23
Fantazma e koronavirusit mbyll në megaqytetet e Kinës 60 milion njerëz (FOTOGALERI)

Kina është e bllokuar. Koronavirusi i Wuhan ka vrarë 170 njerëz dhe ka infektuar rreth 8000 në të gjithë vendin.

Në përpjekje për të ndaluar shpërthimin e virusit, shumë qytete kineze janë vendosur nën kufizime të rënda të cilat kanë prekur rreth 60 milion njerëz.

Pamjet nga Wuhan, qyteti epiqendër i shpërthimit të koronavirusit, si dhe megaqytetet Pekin dhe Shanghai, duken si qytete fantazmë.

Ora 13:49
Corriere Della Serra: Konsumojmë dhunë dhe kemi frikë nga mundësia e largët e infektimit nga koronavirusi

Në qytetin X, një i sapokthyer nga Kina iu nënshtrua një kontrolli për koronavirus pasi kishte ethe dhe temperaturë.

Lajmi u përhap me shpejtësi dhe ‘u fry’ aq shumë saqë në rrjetet sociale u tha se në spitalin e Z gjendej i shtruar një i sapo kthyer nga Kina i infektuar me koronavirusin e ri.

Fake News, siç quhet tani i dikurquajturi mashtrim, por që shkaktoi panik.

Lajme të tilla kanë shkaktuar panik jo vetëm në qytetin X por edhe në shumë qytete të tjerë.

Njerëz të prekur nga gripi, që ka të njëjtat shenja patologjike si dhe koronavirusi: kollë, dhimbje fyti, dhimbje trupi, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, vërshojnë në ambulanca dhe spitale me frikën e infektimit nga koronavirusi i Wuhan.

Nëpër farmaci kanë mbaruar furnizimet me maska mbrojtëse dhe kinezët kanë filluar të shihen me dyshim dhe të shmangen.

Kujtojmë se aftësia që ka koronavirusi për t’u transmetuar është më ë vogël se aftësia që ka gripi i thjeshtë dhe fruthi dhe vdekshmëria është diku te tre përqind.

Informacionet e shpërndara apo masat parandaluese nuk kanë mundur të zbehin frikën, përkundrazi e kanë rritur.

Shoqëria moderne që konsumon pa masë dhunë, që krenohet se është agresive, e ligë, që luan me rrezikun dhe që e dehur nget si e çmendur makinën, ka frikë nga mundësia e largët e të infektuarit nga koronavirusi.

Shtiremi se jemi luan apo tigër por në fakt jemi dele.

Por tufat e deleve në fakt nuk kanë Chat, as whatsapp dhe nuk tremben nga lajmet.

Janë më të zgjuara se ne?!  

Ora 13:04
Amerikani i kthyer nga Kina përshkruan panikun në Wuhan: Gjithçka ishte surreale, si në një film, një makth i paparë (VIDEO)

Afro 200 amerikanë të evakuuar nga Kina do të qëndrojnë në një bazë ushtarake në Kaliforninë Jugore për të paktën tre ditë në mënyrë që ata të mund të monitorohen për simptomat e koronavirusit.

Jarred Evans është një nga amerikanët e evakuuar që qëndron në bazën e Kalifornisë për të paktën 72 orë.

Para se të zbriste në SHBA ai kaloi më shumë se një javë e ndaluar në banesën e tij në Wuhan ndërsa koronavirusi ‘vraponte’ nëpër qytet.

‘Gjatë asaj kohe, tha ai, banorët ishin në panik, duke paralajmëruar të tjerët të bëjnë kujdes’.

"Koronavirusi goditi shpejt. Unë e mora lajmet nga miqtë e mi kinezë të cilët më tahnë të qëndroja i mbyllur në shtëpi, të vendosja një maskë dhe të mbaja rezervë disa ushqime. Gjithçka ishte surreale, si një ëndërr e keqe ndërsa qyteti ishte i bllokuar nga pjesa tjetër e kombit. Atje nuk ka mjete transporti, as trena në metro, as aeroplan. Ushtria ka bllokuar të gjitha rrugët. Ishte si një film, një makth i paparë. Kur do hipnin në avionin i cili kishte ardhur për të na evakuuar, të gjithë po brohorisnim. Askush nuk po na shtrëngonte duart për të na përcjellë... por ne duartrokisnim," tha ai.

Ora 12:01
Bllokohet në Itali anija me 7000 pasagjerë, dy kinezë të dyshuar si bartës të koronavirusit (FOTO)

Në Portin e Civitavecchia në Itali, një anije me 7000 pasagjerë në bord është bllokuar për shkak të dy rasteve të dyshuara të koronavirusit.

Për të dy pasagjerët u pa e nevojshme kryerja e testeve mjekësore.

Gjatë turneut anija kroçerë ishte ndalur në Marsejë, Barcelonë dhe Palma de Mallorca.

Çifti me origjinë nga Hong Kongu dhe nga Macau, kishin zbritur në Itali në aeroportin e Milanos Malpensa më 25 janar dhe ishin nisur më pas për në Savona, ku dhe u imbarkuan në anije.

“Jemi duke pritur rezultatet e testimeve të kryera. Të gjitha hapat që duheshin realizuar janë ndërmarrë. Situata është nën kontroll dhe për momentin nuk shihet të ketë motive për t’u shqetësuar në bord”, deklaroi zyrtari i Rojes Bregdetare Vicenzo Leone

Pas testeve të para të kryera, të dy rastet e dyshuara të koronavirusit rezultuan negative. Vetëm gruaja kishte simptoma të buta gripi kurse partneri nuk tregoi asnjë simptomë, por ishte i izoluar si masa paraprake. Gjithsesi priten rezultatet e disa testeve të tjera më të thelluara.

Pasagjerët e anijes thonë se në bord televizorët shfaqin vetëm reklama publicitare dhe se interneti është shkëputur duke 'na izoluar tërësisht nga bota".

Ndërkohë, në kryeqytetin Romë, dje në mbrëmjen një çift kinez u transportua me urgjencë në spitalin e Spallanzani dhe po i nënshtrohen analizave të thelluara.

Ata po qëndronin në një hotel në qendër të Romës dhe kishin mbërritur nga Kina në kryeqytet para dy ditësh.

Ora 12:00
Rusia ka mbyllur kufijtë e saj kontinental me Kinën për shkak të epidemisë së koronavirusit

Kryeministri rus Mikhail Mishustin ka nënshkruar një urdhër për të mbyllur kufirin në Lindjen e Largët për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Detajet e urdhërit të kryeministrit të ri rus nuk janë zbuluar ende. Rusia, në rajonet e saj më lindore, ndan një kufi 4.200 km me Kinën.

Vendimi erdhi pas udhëzimeve të Vladimir Putin për të bërë gjithçka të mundshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në Rusi.

Ditët e fundit, Ministri i Jashtëm rus ka paralajmëruar qytetarët të shmangin udhëtimet në Kinë "përveç nëse ato janë jashtëzakonisht të nevojshme". Rusia gjithashtu ka vendosur të kufizojë lidhjet e trenave me Kinën, duke filluar nga 31 janari.

Ora 10:54
Koronavirusi, njeriu më i pasur i Kinës dhuron 100 milion juanë (14.4 milion dollarë) për vaksinën

Jack Ma, themeluesi i ‘Alibaba’ dhe njeriu më i pasur i Kinës, ka dhuruar 100 milion juanë (14.4 milion dollarë) përmes fondacionit të tij për të ndihmuar në gjetjen e një vaksine për të luftuar koronavirusin e Wuhan.

Sipas një postimi në mediat sociale nga fondacioni Jack Ma, miliarderi ka caktuar 40 milion juanë (5.8 milion dollarë) për dy organizata kineze të kërkimit të vaksinës.

Pjesa tjetër e fondeve do të përdoret për të mbështetur masat "parandaluese dhe trajtuese", tha fondacioni.

Dhurimi pason një njoftim të tjetër nga ‘Alibaba’ se po krijon një fond 1 miliard juan (144 milion dollarë) për të blerë pajisje mjekësore për provincën Wuhan dhe Hubei, epiqendra e shpërthimit të virusit.

Kompania gjithashtu po ofron fuqi kompjuterike falas për organizatat kërkimore shkencore për të mbështetur kërkimin për një vaksinë ose trajtime.

‘Alibaba’ është një nga një mori kompanish teknologjike kineze që po dhurojnë fonde për përpjekjet e trajtimit të koronavirusit.

Ora 10:48
Nga 3 shkurti, Kina do prodhojë çdo ditë 180 milion maska për të kufizuar përhapjen e koronavirusit të Wuhan   

‘PLA Daily’ gazeta e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit Kinez, njofton se duke filluar nga 3 shkurti, Kina do prodhojë çdo ditë 180 milion maska për të kufizuar përhapjen e koronavirusit të Wuhan. 

Urdhëri ir ri mendohet se do jetë në gjendje të zhbëj ndryshimin midis ofertës dhe kërkesës në rritje për maska dhe mjetet të tjera mbrojtëse nga koronavirusi.

Urdhëri vjen pas parashikimit se përhapja e virusit ka shtuar ‘shpejtësinë’ teksa ka vrarë 170 persona dhe ka infektuar rreth 8000 të tjerë.

Rreth 1 milion maska në ditë, në Pekin do të prodhohen në megaqytetet e Shanghai, Guangzhou, Shenzhen dhe Chongqing.

Ora 10:34
Koronavirusi është përhapur edhe falë sekretit shtetëror kinez, kryebashkiaku i Wuhan vetëshpallet fajtor

Kryetari i bashkisë së qytetit Wuhan, Zhou Xianwang është vetshpallur fajtor për katastrofën e koronavirusit që tani ka prekur të gjitha provincat kineze, me një kosto të madhe nga pikëpamja njerëzore dhe ekonomike.

Në një intervistë për TV shtetëror kinez, Zhou pranoi se informacioni nuk iu shpërnda populates pasi, siç tha ai, ‘nuk kishte autorizimin’ nga instancat shtetërore.

Autoritetet kineze zbuluan në mes të dhjetorit ekzistencën e një virusi të paidentifikuar që kishte prekur një numër të konsiderueshëm njerëzish. Por alarmi u nis te zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste vetëm një muaj më vonë, pas arrestimit të tetë personave për "përhapjen e thashethemeve të pakonfirmuara".

Ngadalësia e autoriteteve

Tragjedia tregon se megjithëse regjimi është kritikuar për fshehjen e epidemisë SARS në vitin 2003, ai nuk ka reaguar shpejt, madje ngadalësia e sistemit burokratik ka ndikuar në përhapjen e koronavirusit.

Siç ndodh gjithnjë në Kinë, kritikat ‘janë ndalur’ vetëm mbi autoritetet lokale.Drejtuesit kinezë janë shqetësuar për referencat në serialin televiziv Chernobyl që qarkullojnë në rrjetet sociale

Këto ditë vihet re një kontrast i thellë midis masave drakoniane të marra nga qeveria qendrore dhe menaxhimit kaotik në nivelin lokal. 

Megjithë censurën, disa kritika vazhdojnë të qarkullojnë në internet në lidhje me spitalet e mbipopulluara të Wuhan që presin ndërtimin e dy spitaleve të rinj, vështirësitë në furnizimin me medikamente dhe konfuzionin që rrethon informacionet mbi koronavirusin. Kjo tregon se ekziston një interes politik krahas aspekteve mjekësore dhe njerëzore.

Detyra e administrimit të krizës i është ngarkuar kryeministrit Li Keqiang, numri dy i hierarkisë komuniste. Li shkoi në Wuhan, një vizitë tejet mediatike në zemër të katastrofës.

Duke veshur një maskë të thjeshtë mbrojtëse, kryeministri dëshironte të kujtonte vizitën e paraardhësit të tij Wen Jiabao në vendet e tërmetit shkatërrues të vitit 2008, një gjest i dhembshurisë që kishte shënuar një ndryshim në stil.

Në ditët e fundit, udhëheqësit e Kinës janë të shqetësuar në lidhje me referencat në serialin televizive ‘Çernobil’ që qarkullon në rrjetet sociale, mbi mënyrën e menazhimit të katastrofës sovjetike që ka nxitur një debat intensiv me referencat e pashmangshme për gënjeshtrat shtetërore dhe dështimet e sistemit.

Ora 09:06
Koronavirusi/ Laboratori i San Diego: Vaksina gati në fillim të verës (VIDEO)

Shkencëtarët kanë nisur të garojnë për të zhvilluar një vaksinë. Vetëm në pesë vitet e fundit, bota është përballur me shpërthime të Ebola, Zika, një tjetër koronavirus i quajtur Mers.

Por ndryshe nga shumë shpërthime të mëparshme, ku vaksinat për të mbrojtur njerëzit kanë marrë vite për t'u zhvilluar, hulumtimi për një vaksinë ka filluar brenda disa orësh nga identifikimi i virusit.

Zyrtarët kinezë lëshuan kodin e saj gjenetik shumë shpejt duke ndihmuar shkencëtarët të përcaktojnë se nga ka ardhur, si mund të mutohet virusi dhe si të mbrohen njerëzit ndaj tij.

Fal teknologjive të fjalës së fundit në laboratorin e Inovio në San Diego, shkencëtarët po përdorin një lloj relativisht të ri të teknologjisë së ADN-së për të zhvilluar një vaksinë të mundshme, e cila mund të jetë gati deri në fillim të verës.

Ora 08:44
Avionët në tokë dhe fabrikat e mbyllura, kjo është ikja e madhe nga Kina e virusit

Fluturimet e kompanive të huaja janë pezulluar. Numri i të infektuarve është në rritje

Së pari ‘British Airways’, dhe më pas ‘Lufthansa’, ‘Swiss’, ‘Air France’ dhe ‘Austrian Airlines’, të gjithë kanë pezulluar fluturimet drejt dhe nga Kina, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë evakuuar qytetarët e tyre kurse të gjitha vendet e tjera po organizojnë të bëjnë të njëjtën gjë.

Brenda një jave nga izolimi i rreth 50 milion njerëzve në rajonin e Wuhan, numri i infeksioneve vazhdon të rritet, sot ai kapi shifrën e 7783 kurse viktimat numërohen 170.

Megjithëse statistikat e vdekshmërisë janë aktualisht më të ulëta se ato të SARS, numri i personave të infektuar vetëm në territorin e Kinës tani është më i madh se totali i regjistruar në nëntë muajt e SARS, midis viteve 2002 dhe 2003 që tronditi Azinë Lindore.

Por ka një ndryshim. Në atë kohë, Kina sapo kishte hyrë në OBT, sot ajo është ekonomia e dytë më e madhe në botë, domethënë sa një e gjashta e PBB-së globale.

Ngadalësimi ekonomik gjatë një ose dy tremujorëve, ndoshta edhe më shumë, mund të jetē një nga pasojat e epidemisë së koronavirus në ekonominë e dragoit, tani i tulatur nga frika.

Lajm i keq gjithashtu i takon edhe pjesën tjetër të botës, duke pasur parasysh që ekonomia kineze përfaqëson 15% të prodhimit global.

Pezullimi i fluturimeve ditët e Vitit të Ri Hënorë nga shumë kompani ajrore ka dëmtuar ekonominë duke qenë se Kina është tregu më i madh botëror për fluturime dalëse.

Anulimet e fluturimeve nga British Airlines dhe  kanë patur efekt në gjithë ekonominë aziatike ndërkohë që kompania gjigande e Starbucks ka vendosur të mbyllë 4000 dyqanet në Kinë për të mbrojtur stafin e saj.

Ora 04:43
Frika nga koronavirusi, Studentja fillon peticionin për anullimin e mësimit në Universitetin Shtetëror të Arizonës

1580357817_arizona.jpg

Një studente në Universitetin Shtetëror të Arizonës ka filluar një peticion për anullimin e mësimit pasi dikush nga universiteti u konfirmua se ishte infektuar me koronavirus. Studentja e vitit të parë në ASU, Taskina Bhuiyan, e cila studion për mikrobiologji, filloi peticionin në Change.org, i cili ka marrë më shumë se 21,000 nënshkrime që nga mbrëmja së mërkurë.

Është e paqartë nëse personi i infektuar është student apo anëtar i stafit. Departamenti i Shërbimeve Shëndetësore në Arizona (ADHS) identifikoi personin vetëm si një "anëtar i komunitetit të Universitetit Shtetëror të Arizonës i cili nuk jeton në strehimin e universiteteve". Personi u kthye kohët e fundit nga Wuhan, Kinë, ku besohet se virusi ka origjinën.

"Si pjesë e hetimit tonë të çështjes, individët që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj pacientit do të njoftohen nga shëndeti publik dhe do të ndiqen nga ana shëndetësore ashtu siç duhet," i tha CNN drejtori i komunikimeve të ADHS, Chris Minnick.

ADHS tha që pacienti nuk është i sëmurë rëndë dhe se po mbahet në izolim për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

"ASU po monitoron çdo ditë situatën e koronavirusit dhe po punon ngushtë me autoritetet shëndetësore federale, shtetërore të qarkut", tha një zëdhënës i universitetit për CNN.

"Ne jemi duke ndjekur protokollet shëndetësore të përcaktuara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe të përforcuar nga zyrtarët shëndetësorë të shtetit dhe të qarkut. Për shkak se rreziku i menjëhershëm për publikun e gjerë nga koronavirusi në këtë kohë besohet të jetë i ulët, auditoret janë duke zhvilluar mësim”, përfundoj ai.

Bhuiyan tha se ajo dhe miqtë e saj krijuan peticionin sepse ata besojnë se ASU nuk ka qenë transparente me studentët e saj. Ata dëshirojnë që ASU të ndërmarrë hapat e duhur për të dezinfektuar zonat që mund të përbëjnë rrezik dhe të krijojë stacione sanitare përreth kampusit.

Studentët kanë të drejtë të dinë zonat që vizitoi individi i infektuar, tha ajo, në mënyrë që ata të mund të zgjedhin të shmangin ato zona.

"Në email, ASU tha që ata po ndjekin protokollet e CDC dhe i këshilloi studentët të vishnin një maskë dhe t'i mbajnë duart e pastra, të mos prekin fytyrën etj.", Tha Bhuiyan për CNN.

"Sidoqoftë, ASU nuk po i zbaton ato protokolle", tha ajo. "Shumica e njerëzve janë duke ecur ende pa maska. Dyqanet afër kampusit shiten të gjitha nga maska ​​dhe sanitizues dore, gjë që gjithashtu po e bën të vështirë për studentët dhe stafin të ndjekin protokollet e CDC."

Bhuiyan tha se frekuentimi është i detyrueshëm në ASU dhe studentët rrezikojnë të ngelin nëse nuk frekuentojnë rregullisht orët e mësimit. Si një student që do të diplomohet në një degë shkencore, Bhuiyan tha që ajo ka orë laburatorike të cilat nuk mund të humbasë, dhe se dëshiron që ASU të jetë më e butë me politikën e saj të pjesëmarrjes.

"Unë nuk mendoj se duhet të zgjedhim midis të qenurit ngelës në orët e mësimit ose kompromentimit të shëndetit dhe mirëqenies sonë, por ASU nuk po na jep asnjë mundësi tjetër për momentin," tha Bhuiyan duke shtuar se: "Studentët janë nervozë. Ne jemi edhe më nervozë pasi ASU nuk po na azhornon më me informacion. Unë e kuptoj që ata nuk duan të shkaktojnë një panik midis studentëve dhe fakulteteve. Sidoqoftë, ata duhet të na njoftojnë për shkak të situatës problematike, por edhe sepse shumica e studentëve nuk po e marrin ende aq seriozisht saç duhet këtë çështje".

Ora 04:18
Koronavirusi, 3 raste të reja shfaqen në Singapor, 3 të tjera në Japoni

1580355642_1.jpg

Gjashtë raste të reja të personave të prekur nga koronavirusi i ri kinez janë konfirmuar. Bëhet fjalë për 3 raste në Singapor dhe 3 raste të tjera në Japoni.

Ministria e Shëndetit në Singapor ka konfirmuar mëngjesin e kësaj të enjte se tre raste e tjera të koronavirusit Wuhan, janë shtetas kinez që udhëtuan nga Wuhan. Kjo e rrit numrin e përgjithshëm në shkallë vendi, në 10 të infektuar. Personat e prekur nga virusi janë një burrë 56-vjeç dhe një grua 56-vjeçare dhe një burrë tjetër 56-vjeçar, të cilët ndodhen në dhoma izolimi në Qendrën Kombëtare të Sëmundjeve Infektive.Të tre pacientët e rinj nuk paraqitën simtoma në kontrollet e bëra gjatë fluturimit për në Singapor.

Ndërkaq, 3 personat diagnostikuar me koronavirus në Japoni janë pjesë e qytetarëve japonezë të evakuuar nga Wuhan këtë të mërkurë. Sipas Ministrisë japoneze të Shëndetit, vetëm njëri prej pacientëve ka ethe, ndërsa dy të tjerët nuk tregojnë simptoma. Ata aktualisht janë në karantinë në Tokio. Dy fluturime, për riatdhesimin e 400 qytetarëve japonez nga Wuhan janë ndërmarrë nga Japonia. Kjo e çon në 8 numrin e të infektuarve nga virusi kinez në Japoni.

Ora 03:51
Koronavirusi/ Agjensitë amerikane njoftojnë Trump për ecurinë e virusit, Presidenti: Kemi ekspertët më të mirë në krye të detyrës

1580355833_1578220003trumpp.jpg

Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter ka bërë me dije se është njoftuar nga agjensitë amerikane në Kinë në lidhje me ecurinë e koronavirusit.

"Sapo mora një njoftim për Coronavirusin në Kinë nga gjithë agjensitë tona të MIRA, të cilat gjithashtu janë duke punuar ngushtë me Kinën. Ne do të vazhdojmë monitorimin e mëtejshëm të zhvillimeve. Ne kemi ekspertët më të mirë kudo në botë, dhe ata janë në krye të detyrës 24/7! "

Ndërkaq, postimin Presidenti amerikan e shoqëroi me disa fotografi nga një takim në Dhomën e Diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë. Trump është shprehur se, së fundmi ai kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin Kinez Xi Jinping përsa i’u përket shqetësimeve për përmbajtjen e koronavirusit Wuhan. Mirëpo, për CNN, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka përgënjeshtruar këtë fakt, teksa shprehet se hera e fundit që dy liderët botërorë folën së bashku ishte në dhjetor.

Ora 03:36
CDC: 195 persona të evakuuar nga Wuhan në SHBA janë nën karantinë vullnetare

1580355778_testime.jpg

Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka njoftuar se 195 pasagjerë që ishin evakuuar nga Wuhan në një bazë ajrore në Kaliforni, janë ekzaminuar, monitoruar dhe vlerësuar çdo hap të rrugës.

Asnjë nga pasagjerët nuk tregon shenja sëmundjeje, thanë zyrtarët e CDC gjatë një konference për shtyp të mërkurën pasdite, por ata do të qëndrojnë nën një karantinë vullnetare në bazën ajrore. Të evakuuarit nuk kërkohet të qëndrojnë në bazë. Agjensia shëndetësore tha që udhëtarët ranë dakord për një kërkesë për të qëndruar atje për tre ditë testim, monitorim dhe pushim.

"Lajmi i mirë këtu është se përkundër një hetimi agresiv të shëndetit publik për të gjetur raste të reja, ne nuk kemi," tha Dr. Nancy Messonnier, drejtore e Qendrës Kombëtare të CDC për Imunizimin dhe Sëmundjet e frymëmarrjes.

"Situata në Kinë është shqetësuese,"  u shpreh Messonnier, ndërsa shtoi se: "Megjithatë ne jemi duke kërkuar shumë këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të jemi proaktivë. Unë pres që të gjejmë raste shtesë. "

Deri më tani, agjensia ka konfirmuar pesë raste të koronavirusit në SHBA në katër shtete dhe 165 raste të dyshuara.

Ora 03:35
Anulohet fluturimi i planifikuar për kthimin e qytetarëve britanikë nga Wuhan, zëdhënësi britanik: Ka vonesa, jemi në kontakt me autoritetet kineze

1580355746_images.jpg

Një fluturim i planifikuar për të rikthyer qytetarët britanikë nga Wuhan nuk do të kryhet këtë të enjte ashtu sikurse ishte parashikuar, tha të mërkurën një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

"Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i sjellë njerëzit tanë në Wuhan, në mënyrë të sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar. Një numër i caktuar fluturimesh nuk kanë qenë në gjendje të kryhen sikurse ishte planifikuar. Ne vazhdojmë të punojmë me urgjencë për të organizimin e një fluturimi për në Mbretërinë e Bashkuar sa më shpejt të jetë e mundur ", tha zëdhënësi.

"Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me autoritetet kineze dhe bisedat po vazhdojnë në të gjitha nivelet" shtoi në tej ai. Mësohet se, fluturimi është vonuar për shkak të lejeve kineze që ende nuk kanë kaluar ende.

Po ashtu, është shtyrë edhe fluturimi i planifikuar i dy avionëve drejt Koresë së Jugut, për tërheqjen e nënshtetasve të saj nga Wuhan.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emi: 31/01/2020 10:03

    Nje lagje e kines 60 miljon kur se na shqiptare 3 miljon dhe sjena te sote me jetu ne shqipni

    Përgjigju
  • Kafsha: 31/01/2020 08:11

    Edhe Shqiperia si Italia të mbylle trafikun ajror. Ndersa për pikat doganore të mos lejohet asnjë kinez të hyje në Shqiperi me makine apo anije, asnjë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin