Koronavirusi/Itali, Dekreti i ri: Konfiskim i automjetit dhe gjobë për ata që largohen pa arsye nga shtëpia

Ndërsa Italia po numëron me optimizëm të kujdesshëm shifrat në rënie të infeksioneve dhe rasteve me vdekje, me shpresën se këto ditë kurba e pandemisë do vazhdojë zbritjen, Qeveria e kryeministrit Conte ka shtrënguar masat administrative për shkelësit e ligjit të emergjencës shëndëtësore.

Tani e tutje te gjithë ata që me dinakëri tentojnë të dalin për aktivitete sportive më shumë se 200 metra larg shtëpisë apo ata që dalin nga shtëpia pa justifikim shumë të arsyeshëm, do të gjobiten nga 500-3000 euro.

Deri më tani për kundërvajtësit ishte zbatuar neni 650 i Kodit Penal italian, i cili parashikonte arrestimin dhe burgimin deri në 3 muaj ose gjobë 206 euro.

Një dekret që do të shpallet sot pasdite nga Këshilli i Ministrave do të përcaktojë detaje të tjera të masave administrative që tentojnë të forcojnë rregullat që synojnë të pengojnë rrezikun e përhapjes së koronavirusit.

Sipas dekretit të ri, shkelësit e ligjit do duhet të paguajnë gjobën menjëhere dhe vendimi nuk mund të apelohet.

Dekreti i ri vjen në një kohë kur vetëm një ditë më parë, guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana nxori një urdhër për vendosjen e një gjobe prej 5000 eurosh për ata që nuk do të respektojnë "ndalimin e grumbullimit në vende publike, duke mos mbajtur distancën e përcaktuar”.

Me fjalë të tjera, do të gjobiten të gjithë personat e grumbulluar më shumë se dy vetë si dhe ata që nuk mbajnë distancën fizike prej të paktën 1 metër.

Dekreti që pritet të miratohet saktëson rolin e forcave ushtarake në rrugë me detyrën e sigurisë publike.

Gjithashtu rajoneve iu jepet e drejta për të miratuar ose hequr masa emergjente.

Dekreti parashikon që masat të merren për periudha të paracaktuara, që zgjasin jo më shumë se 30 ditë dhe që do të jenë të përsëritshme dhe të modikfikueshme, deri më 31 korrik 2020.

Në listën e pritshme të masave do të jenë edhe zgjatja e afatit të mbylljes së shkollave, muzeve, parqeve, veprimtarive tregtare apo edhe kufizimet në lëvizjen e njerëzve .

Dekreti parashikon gjithashtu masat administrative të përkthyera në gjoba deri në 400 euro për shkelësit e ligjit si dhe mbyllje të aktivitetit për një muaj për të gjitha bizneset që kapen në shlekje të masave emergjente

Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në Itali pas buletinit të ditës së djeshme u shprehën se rezultatet janë fillimi i reflektimit të funksionimit të masave qeveritare por është ende herët të flitet për tendenca të qëndrueshme rënie të numrit të të infektuarve dhe numrit të viktimave.

Një tjetër lajm i mirë është se sot në rajonin e Lombardisë ka filluar të testohet ilaçi i ri Avigan, dhe shpresohet që të jetë i duhuri për të dhënë rezultate të mira dhe të shëroje pacientët e shumtë që kanë tejmbushur spitalet.


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Italia ul sërish numrin e të infektuarve, rritet ai i viktimave! Hiqen kufizimet në Wuhan, bllokohet Britania e Madhe


/G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg