Gjykata e Posaçme (GJKKO) pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për  të ish-deputetin Engjëll Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Shkëlqim Hoxha, ky i fundit ish-kandidat për kryetar bashkie nga radhët e Partisë demokratike. Ata janë nën akuzë për korrupsion aktiv në zgjedhje. Gjykata caktoi datën 2 dhjetor për të dëgjuar pretencën e prokurorisë.

Hetimet treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata siguruan dhe ofruan bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut në Rrogozhinë i dhanë goditje aleancës së Sali Berishës dhe Ilir Metës dy vite më parë në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Fitorja e kandidatit socialist Edison Memolla nuk ishte me 21 vota diferencë, si në zgjedhjet e 14 majit, por me 1752 vota.

Në numërimin e 54 kutive, socialisti Memolla doli fitues me diferencë ndaj Shkëlqim Hoxhës së PD-së, në zgjedhjet e përsëritura, pas shpalljes së pavlefshme  të zgjedhjeve të 14 majit. Rezultati doli 6658 vota për Memollën, kundrejt Shkëlqim Hoxhës të BF me 4906 vota.