Përgjimet e prokurorisë që zbuluan korrupsionin në gjykatën e lartë në të cilën ishte përfshirë gjyqtarja Majlinda Andrea duke marrë nëpërmjet bashkëshortit 50 mijë euro për një vendim gjyqësor, janë të ligjshme.

Tashmë këto përgjime do të përdoren si provë në procesin që Gjykata e Lartë do të nisë më 13 janar ndaj 2017 ndaj Andreas për të cilën u zgjat dhe afati i pezullimit nga detyra.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi dhe kërkesat e avokatit të bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea për të hequr masën e sigurisë arrest me burg, masë e cila mbetet në fuqi deri në momentin që ai do të arrestohet apo vetëdorëzohet për tu përballur me drejtësinë.

Vetë Andrea s'ishte e pranishme as në këtë seancë ku gjykata rrëzoi tre kërkesat e saj dhe avokatëve, ndërsa me akuzën e korrupsionit për zyrtarët e drejtësisë pritet që kolegët e saj të vendosin më 13 janar për ecurinë e këtij gjykimi.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea akuzohet se ka marrë 50 mijë euro për dhënien e një vendimi pronësie.

I akuzuar për këtë aferë është edhe bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i cili ndodhet në kërkim ndërkombëtar. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com