Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli diskutoi mbi shkresën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda drejtuar KLD-së, ku njoftohej lidhur me regjistrimin e emrave të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës, të cilëve iu atribuon kryerjen e veprës penale.
Inspektorati njoftoi se ka filluar procedimi disiplinor për tre gjyqtarët e Apelit Durrës. KLD i kërkoi Inspektoratit të bashkëpunojë me Prokurorinë, nëse ka kërkesa të veçanta në lidhje me këtë çështje, duke i ofruar mbështetje maksimale sipas ligjit.
Ngjarja:
Krimet e Rënda i kërkuan KLD procedimin e tre gjyqtarëve, pasi sipas burimeve të Prokurorisë në dosjen hetimore kundër tyre është administruar përgjigjja e autoriteteve Spanjolle se nëpërmjet kartës së kreditit të shtetasit Fatjon Pula, kushëriri i shtetasit Namik Sadiku, i cili ishte palë e paditur në një proces civil që gjykohej nga tre gjyqtarët, ata kanë qëndruar në ambientet e një hoteli në Spanjë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të ndjekur derbin “El Clasico” mes Real Madrit dhe Barcelonës. Është vërtetuar, sqaroi Prokuroria, se Fatjon Pula ka paguar 450 euro për qëndrimin e tre gjyqtarëve në hotel. Ndërkohë në kërkesën e saj, organi i Akuzës shtoi se dhe shpenzimet e tjera si bileta e udhëtimit dhe bileta e hyrjes në stadium, ka dyshime të forta se është paguar nga shtetasi Namik Sadiku.
Nisur nga kjo situatë dhe krijimit të dyshimit të arsyeshëm, Prokuroria i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, për pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno.
Prokuroria iu drejtua KLD për procedimin e këtyre gjyqtarëve, pas rrëzimit të kërkesës së saj nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila e cila refuzoi të marrë në shqyrtim kërkesën e organit të Akuzës.
Njoftimi i plotë i mbledhjes së KLD:
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 18.01.2018, mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e raportit mbi situatën e çështjeve gjyqësore për dhunën në familje. Kontrollit iu nënshtruan 28 gjykata të vendit, nga të cilat 6 gjykata të apeleve dhe 22 gjykata të shkallës së parë. Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit miratuan Raportin dhe rekomandimet përkatëse.
Mbledhja vijoi me deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit për dy gjyqtarë, konkretisht: më 01.01.2018 të gjyqtares Fiqirete Mullaj, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe më 23.01.2018 të gjyqtarit Agim Ferizaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.
Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e ministres së Drejtësisë, për problematikën e mungesës së gjyqtarëve në disa gjykata. Në përfundim të diskutimeve, anëtarët vendosën që Inspektorati i KLD-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, pas mbledhjes së të dhënave statistikore nga gjykatat, të propozojnë pranë KLD-së, zgjidhjet përkatëse për këtë problematikë sa më parë.
Këshilli, diskutoi mbi shkresën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda drejtuar KLD-së, ku njoftohej lidhur me regjistrimin e emrave të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Durrës të cilëve iu atribuon kryerjen e veprës penale. Inspektorati njoftoi se ka filluar procedimi disiplinor për tre gjyqtarët e Apelit Durrës. KLD i kërkoi Inspektoratit të bashkëpunojë me Prokurorinë, nëse ka kërkesa të veçanta në lidhje me këtë çështje, duke i ofruar mbështetje maksimale sipas ligjit.
Gjithashtu, Këshilli vendosi shqyrtimin e të gjitha procedimeve disiplinore të mbartura deri tani. Gjithashtu, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtari.
d.c./shqiptarja.com










