PRISHTINË - Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur sot në takim në Prishtinë Drejtorin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Artan Didi, i cili kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit policor mes të dy vendeve, më qëllim luftimin e kriminalitetit që ndërlidh dy vendet.
 
Burime nga Policia e Kosovës bene te ditur se Maxhuni tha se, “gjendja e sigurisë në dy vendet konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile dhe se kjo është një nga parakushtet kryesore dhe esenciale që proceset në të cilat janë duke shkuar Kosova dhe Shqipëria t’i ndihmojnë që dy vendet të jenë edhe aty ku e meritojnë”.
 
Ai theksoi se Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat, duke iu referuar bashkëpunimit në fushën e komunikacionit rrugor dhe bashkëpunimit të policive kufitare të dy vendeve në menaxhimin e integruar të kufirit.
 
Ndërsa Didi tha se “në ketë takim kemi trajtuar problemet e bashkëpunimit në disa fusha, siç është ajo e menaxhimit të integruar të kufirit dhe e forcimit të luftës kundër krimit të organizuar etj. Policia shqiptare është në një proces reformimi dhe në një proces që kërkon ngritje të vlerave të veta për t’iu përshtatur edhe kërkesave të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
 
Gjatë takimit, të dy krerët e policive u angazhuan per vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes të dy policive ne perpjekjet e përbashkëta në fushën e luftimit të krimit, krimit të organizuar dhe atij trans-kufitar.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)