Kosovë, nis rivotimi në veri të
Mitrovicës, prani e madhe e policisë

Kosovë, nis rivotimi në veri të<br />Mitrovicës, prani e madhe e policisë
PRISHTINE- Më shumë se 23 mijë qytetarë me të drejtë vote kanë nisur sot, që në orën 7, rivotimin në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës. Bëhet me dije se të gjitha vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës janë hapur me kohë.

Nuk ka pasur incidente gjatë transportimit të materialit. Siç raporton korrespondenti i Radios Evropa e Lirë atje, numri i votuesve tash për tash është i vogël. Bëhet fjalë për prani shumë të madhe të policëve përreth vendeve të votimit. Atje janë edhe pjesëtarë të organizatës së ashtuquajtur serbe “Civilna zastita” (Mbrojtja civile).
 
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, një ditë para rivotimit ka deklaruar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe se kësaj radhe nuk do të tolerohet dhuna. ”Kemi marrë mësim nga hera e kaluar dhe besojë se tashmë e kanë kuptuar të gjithë se duhet të jemi më të vëmendshëm dhe më të përgatitur”, ka thënë Daka.
 
Për zgjedhjet e sotme në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës EULEX-i dhe KFOR-i kanë përgatitur masa të forta sigurie në mënyrë që anëtarët e komiteteve në vendvotime të mund të kryejnë punën e tyre dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.

Përsëritja e votimeve në këto tri qendra, vjen si pasojë e dhunës që ishte ushtruar nga një grup njerëzish më 3 nëntor që kishte sjellë deri te mbyllja e parakohshme e tyre. Andaj, më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që votimet në këto 3 qendra të përsëriten më 17 nëntor.
 
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se ka tashmë një plan operativ, i cili do të zbatohet për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit të rivotimeve në këto qendra në Mitrovicën veriore. “Policia e Kosovës do të jetë e kyçur dhe e përgatitur për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend që do të nënkuptojë para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve".

"Pra, do të bëhet sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale dhe zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numrit dhe depos qendrore deri në përfundim të numërimit të votave. Po ashtu, do të bëhet edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara deri në përfundim të këtij operacioni”, ka thënë Kelani. Masat e shtuara të sigurisë, po ndërmerren në koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.
 
Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it në Prishtinë, Irina Gudeleviq, ka thënë se qytetarët do të kenë më shumë siguri kësaj radhe, pasi që rreth qendrave të votimit do të ketë prani më të madhe të policisë së Kosovës, të cilat do të monitorohen nga afër edhe nga policia e EULEX-it. “Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që të jenë vigjilent dhe të veprojnë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe vendosmëri.
 
Nëse procesi zgjedhor ose siguria e votuesve, e stafit dhe e vëzhguesve në vendvotime, rrezikohet që të shkatërrohet, atëherë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë”, ka theksuar Gudeleviq.

Në një deklaratë të përbashkët të organeve të sigurisë, thuhet se forcat e KFOR-it do të jenë të pranishme në afërsi të vendvotimeve dhe në hapësirat e tjera me qëllim që të sigurohet ambient i qetë dhe i sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
 
Zgjedhjet në veri, sipas marrëveshjes së Brukselit, organizohen nga OSBE-ja. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, kanë vlerësuar tashmë pozitivisht zgjedhjet e 3 nëntorit, përveç 3 qendrave të votimit në Mitrovicë, të cilat po shkojnë në rivotim.
 
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson, ka shprehur besimin e saj se incidenti i 3 nëntorit do të zbardhet dhe drejtësia do të vihet në vend.
 
“Besoj se të dielën do të kemi një prani më rigoroze dhe më të dukshme të strukturave të sigurisë, qoftë të Policisë së Kosovës apo të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë”, ishte shprehur Jacobson.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani

Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani