PRISHTINË, 26 Shtator /ATSH-B.Jashari/ -Përfunduan sot pasdite në Bruksel takimet dyditore për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
     “Janë zhvilluar bisedime në formatin bilateral me Bashkimin Evropian dhe nuk ka pasur takime tre paleshe”, deklaroi nga Brukseli, pas takimeve, zv/kryeministrja Edita Tahiri.
     Sipas saj, bisedimet u përqendruan në avancimin e procesit të integrimit të individëve serbë nga pjesa veriore e vendit në institucionet e shtetit të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë. 
     “Përsa i takon çështjeve të policisë pala serbe nuk ka dorëzuar listën e personave të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës përkundër faktit që kjo listë është dashur të dorëzohet me 16 shtator në përputhje me konkluzionet e Brukselit dhe përkundër faktit se pala serbe kishte premtuar se do ta realizojë ketë obligim pas zvarritjesh të shumta në këtë çështje”, citohet zv/kryeministrja Tahiri në njoftimin e dërguar. 
     Ajo ka bërë të ditur se, në mungesë të listës së individëve serbë për integrim ky raund i bisedimeve nuk ka mundur të japë rezultatet e pritura, ngase hapat tjerë rreth integrimit ndërlidhen me dorëzimin e kësaj liste. 
     “Pala e Kosovës nga ana e saj i ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese për sa i takon obligimeve të deritashme dhe ka bërë të ditur se pa u dorëzuar kjo listë procesi i zbatimit nuk mund të përparojë”, ka deklaruar zv/kryeministrja kosovare. 
     Duke folur për bisedimet rreth çështjeve të drejtësisë,  Tahiri theksoi se Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht faktin se ligji për amnistinë do të hyjë në fuqi javën tjetër dhe se kjo do të hap rrugë për përshpejtimin e integrimit të gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të cilët kanë dëshirë të bëhen pjesë e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës. 
     Zv/kryeministrja Tahiri ka kërkuar që Serbia të mos e zvarritë procesin e implementimit të marrëveshjeve, por të plotësojë me kohë dhe mënyrë përmbajtjesore obligimet e saja si palë në këtë dialog.
     Ajo ka bërë të ditur se, “në takim janë trajtuar edhe aspekte tjera të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit dhe ka qenë konstatim i përbashkët se përfundimi i procesit të zhbërjes së strukturave ilegale në drejtësi dhe siguri si dhe kompletimi i procesit të integrimit do të ndihmojnë për normalizimin e gjendjes në pjesën veriore si dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve”. /gj.m/"