Kosova sot 14 vjet shtet i pavarur dhe sovran! Blinken: Sovraniteti i pakthyeshëm dhe i pacenueshëm! Rama: Gëzuar! Basha: Sot demokracia më e gjallë e rajonit

Sot Kosova feston 14-vjetorin e Pavarësisë! Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:30
14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Meta letër presidentes Osmani: Urimet më të përzemërta vëllazërore

Presidenti Ilir Meta ka uruar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij drejtuar homologes Osmani, Meta shkruan se ‘jam i lumtur të konstatoj se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, sikundër jam i sigurt se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të vijuar në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane.’

Letra e plotë
E nderuara Zonja Presidente, Shkëlqesia Juaj, Vjosa Osmani - Sadriu,
Kremtimi i 14-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më jep kënaqësinë shumë të veçantë që t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të përzemërta e vëllazërore.
Ju uroj Juve personalisht, autoriteteve shtetërore si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan, sakrifikuan dhe punuan për Kosovën e pavarur!
Jam i lumtur të konstatoj se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, sikundër jam i sigurtë se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të vijuar në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane.
Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për tu ndjekur.
Vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet.
Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur për thellimin e partneritetit tonë të shkëlqyer.
Duke ju uruar edhe një herë sa më shumë përparim, suksese dhe integrim të plotë europian dhe euro-atlantik, lutem, pranoni e nderuara Presidente, sigurimet e konsideratës sime të lartë.

Ora 09:41
VIDEO / Bashkia e Tiranës mbulohet nga flamuri i Kosovës, Veliaj: Dashni nga Tirana

Bashkia Tiranë është mbuluar e gjitha me flamurin e Kosovës. Ky veprim u bë në nder të përvjetorit të 14-të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar pamjet fantastike ku Bashkia mbulohet nga flamuri gjigand i Kosovës. “Dashni nga Tirana”, shkruan Veliaj.  

Ora 09:26
Blinken i uron Pavarësinë Kosovës: SHBA përkrah jush, sovraniteti i pakthyeshëm dhe i pacenueshëm

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar shqiptarët e Kosovës për 14 vjetorin e Pavarësisë. Blinken thotë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. Në urimin e tij Sekretari amerikan i Shtetit nënvizon se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës për festimin e katërmbëdhjetëvjetorit tuaj si shtet sovran dhe i pavarur.Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Si një nga demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Nga ana jonë, ne jemi krenarë t’ju mbështesim në këtë përpjekje. Përderisa pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërtimi i institucioneve elastike demokratike dhe gjithëpërfshirëse që ofrojnë për të gjithë qytetarët kërkon këmbëngulje. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke. Ne mbetemi mirënjohës për lidershipin e Kosovës përtej kufijve të saj – për bujarinë tuaj në pritjen e afganëve vulnerabël dhe kontributin tuaj për sigurinë dhe stabilitetin global. I uroj paqe, prosperitet dhe shëndet të mirë për popullin e Kosovës ndërsa vazhdoni rrugëtimin tuaj demokratik dhe ne e forcojmë më tej miqësinë tonë të palëkundur, së bashku”, shkruan DASH. 

Ora 08:52
Basha uron 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës: Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar pavarësinë e Kosovës ku shkruan se sot është një nga demokracitë më të gjalla të rajonit.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Gëzuar këtë ditë fatlume shqiptarëve kudo në botë.

Në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë.

Kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik.

Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian.

Gëzuar Kosovë e dashur!”, shkruan Basha.

Ora 08:44
Meta uron Kosovën për pavarësinë: Mirënjohje përjetë heronjve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës

Presidenti Ilir Meta ka uruar 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“GËZUAR KOSOVË E DASHUR! Mirënjohje përjetë Heronjve, Dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës! Shqipwria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, shkruan Meta.

Ora 08:39
Rama uron Kosovën: Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë

Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën me rastin  e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

'Mirëmëngjes! Urime të gjithë shqiptarëve ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës!'- shkruan Rama.

 

 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vetëplagoset me armë zjarri 19 vjeçari në Kukës

Vetëplagoset me armë zjarri 19 vjeçari në Kukës