PRISHTINË - Në Kosovë edhe sot plot pesë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit vazhdon pritja, ngërçi dhe paqartësia drejt krijimit të institucioneve. As dita e djeshme, e gjashtëmujorit të vetëshpërndarjes së Kuvendit, nuk solli zgjidhjen e pritur me deklarimin e koalicionit paszgjedhor se heq dorë nga posti i kryeparlamentarit që e synonte edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses se propozimin për këtë post mund ta bëjë vetëm partia fituese e zgjedhjeve, që ishte PDK, në koalicion me katër parti të vogla.
"Zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara nuk do të ketë", ishte i prerë në qëndrim kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, duke theksuar se "tani ka dy opsione të vetme që duhen marrë në konsideratë seriozisht dhe shpejt", i pari takimi së bashku për "zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë të lodhur nga pritja" dhe i dyti "që të ulemi përsëri bashkë dhe të vendosim se kur të caktojmë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme".
Lideri i PDK-së, Thaçi, i nominuar për kryeministër edhe për një mandat të tretë nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, sfidohet nga koalicioni që bëri shumicën me marrëveshjen e dy ditë pas zgjedhjeve, 10 qershorit, e cila ridizajnohet edhe pse gjatë gjithë ditës së djeshme deklarohej se "s'ka ndryshim". Mbrëmë u be e ditur zyrtarisht se, "LDK-ja, si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare, është e përcaktuar të punojë intensivisht për themelimin e qeverisë së re të vendit, të udhëhequr nga LDK-ja".
Pas kësaj, ende nuk ka ndonjë komunikatë zyrtare nga AAK-ja, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj, sipas marrëveshjes së koalicionit të pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ishte nominuar për kryeministër. Tani, sipas komunikatës së LDK-së, i nominuari për kryeministër pritet të jetë vetë lideri i saj, Isa Mustafa, i cili pas marrëveshjes së para pesë muajve, u propozua dhe u votua kryetar Kuvendi në ditën e nisjes e ndërprerjes së seancës konstituive në 17 korrik, por kjo zgjedhje u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. /ATSH/












