Kosova u anëtarësua sot në organizatën evropiane Euro GeoSurvey, bën të ditur në një njoftim për shtyp Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Me 18 vota pro, 3 abstenime (Spanja, Romania dhe Çekia), dhe 2 vota kundër (Greqia dhe Qipro), Kosova është pranuar në Euro GeoSurvey me statusin e Anëtarit të Asociuar, citon KosovaPress.

Sipas MZHE-së anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është meritë e një delegacioni të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku me ftesë të Zyrës Federale të Topografisë të Konfederatës Zvicerane po merr pjesë në Konferencën "Living with Geological Risks", në të cilën po marrin pjesë udhëheqësit e agjencive/instituteve shtetërore të gjeologjisë të 25 shteteve nga Evropa dhe më gjerë.

E veçanta e kësaj pjesëmarrjeje është fakti se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizëm evropian. Konferenca i vazhdon punimet edhe nesër. 

ATSH