Shteti i Kosovës është detyruar të rikthejë deputetit dhe biznesmenit Behgjet Pacolli shumën e paguar për pronësinë mbi hotelin “Grand”. Ky vendim u bë me dije nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se Pacolli e ka fituar rastin në Arbitrazh.
Haxhiu e cilësoi këtë situatë si pasojë e “hajnisë 20-vjeçare nëpër institucionet shtetërore”, duke shtuar se nuk ka asnjë dokument që mund të mbështeste pretendimet e Pacollit për pronësinë mbi hotelin, por tashmë Kosova është e detyruar t’i kthejë paratë që ai kishte paguar për privatizimin e objektit.
“Grandi mbetet në pronësi të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, sipas Vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë.
Për shkak të hajnisë 20 vjeçare nëpër institucione shtetërore, paguajmë pasoja ende. Por këto janë të fundit. Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj Grandi mbetet i Kosovës e i qytetarëve të saj”, shkruan ministrja.
Arbitrazhi ndërkombëtar, i organizuar nga dhoma e posaçme e Bankës Botërore në Washington, ka urdhëruar Qeverinë e Kosovës të rikthejë shumën e paguar nga kompania e tij, Mabco Construction Int., në vitin 2006. Pacolli e ka cilësuar këtë fitore si një sinjal të qartë se "e drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë". Ai theksoi gjithashtu nevojën për një sistem drejtësie të paanshëm dhe funksional që garanton të drejtat e investitorëve dhe mbron ata.
“Më në fund, kompania ime **Mabco Construction Int.** ka fituar drejtësisht arbitrazhin ndërkombëtarë i organizuar nga dhoma e posaqme e Bankës botërore në Washington për rastin e Grandit, ndaj Shtetit të Kosovës.
Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet:
1. **Të rikthejë shumën e paguar nga Mabco**
për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesen Qeveria e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006).
Ky triumf në arbitrazhin ndërkombëtar është një sinjal i qartë se
**“E drejta vonohet, por gjithmonë del në dritë”**.
Disa mesazhe të rëndësishme që sjell ky vendim janë:
a) **Çfarë nuk është, kurrë nuk mund të bëhet e jotja!**
b) **Një sinjal tjetër i qartë është nevoja për një sistem drejtësie të paanshëm dhe funksional**, që garanton të drejtat e investitorëve dhe i mbron ata.
Vetëm në një sistem dinjitoz investitorët mund të kenë besim për të investuar në vend.
Unë gjithmonë kam refuzuar çdo gjë që nuk më përkiste, por kam mbrojtur atë që është e imja.
c) **Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar, është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit.
Në këmbim, Qeveria kishte ofruar asgjë dhe duke refuzuar njohjen e Mabco si aksionare në objektin e blerë, ndonëse marrëveshja ishte e qartë dhe Qeveria e Kosovës ishte dy herë e informuar per këtë.
d) Ky vendim nxjerr në pah poashtu edhe tentativat për mashtrim të Zylqif Berishës, i cili, me skenarët dhe njerëzit e tij të “fortë”, për 18 vite më ka shkaktuar shumë kokëçarje.
Por, në fund, drejtësia triumfoi e Berisha per shkak të lakmive të tij sot mundet me e pa Hotelin Grand vetem nga distanca.
Po të kishte qenë korrekt Zylqif Berisha , sot Hoteli Grand do të ishte një perl e ai do të ishte pronar, si në marvrshje i 40%”, shkruan Pacolli.
Kjo çështje ka një histori të gjatë, që daton 20 vjet më parë, kur Qeveria e Kosovës e refuzoi njohjen e Mabco si aksionare në hotelin “Grand”, megjithëse kompania kishte paguar shumën e kërkuar. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës duhet të kthejë shumën e paguar nga kompania Mabco Construction Int. për privatizimin e hotelit "Grand", por mediat e Kosovës nuk bëjnë me dije se çfarë vlere është shumë që duhet të paguajë qeveria e Kosovës.
Ate mesazhin e pare ( Çfarë nuk është, kurrë nuk mund të bëhet e jotja! ) duhet ta shkruajme me germa te arta mbi Muzen Kombetar. U vonua teper por keni per te pare cfare do behet edhe me parate por edhe me pronat e vjedhura ne kete vend. O nene o nene c`ka per tu bere.
Përgjigju