/ATSH-B.Jashari/.-Në marshimin epërkrahjes së Francës të dielën në Paris qytetarët e Kosovës do të përfaqësohen nga Presidentja Atifete Jahjaga dhe Zv/kryeministri e Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.

"Në emër të qytetarëve të Kosovës, të dielën do të marrë pjesë në Marshin Përkujtimor në Paris në nderim të viktimave", është shprehur Presidentja e Republikës.

"Gjatë orëve të fundit kemi qenë në kontakt me autoritetet franceze dhe Presidentja Jahjaga dhe unë do t'i bashkangjitemi liderëve nga mbarë bota në marshin e përbashkët të përkrahjes në Paris. Do t'i përfaqësojmë qytetarët kosovarë që janë të trishtuar nga sulmet në Paris. Në këto momente, Kosova dhe bota janë me Francën", shprehet Thaçi.
Përfaqësues institucionalë e politikë si dhe qytetarë të Kosovës kanë nënshkruar në librin e zisë, të hapur në Ambasadën e Francës në Prishtinë, ndërsa në sheshin kryesor të kryeqytetit kanë bërë homazhe  dhe ndezë qirinj duke shprehur solidaritet me viktimat e sulmeve terroriste në Paris.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës  ka organizuar një aktivitet po ashtu në shesh në Prishtinë  në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit terrorist në revistën satirike franceze "Charlie Hebdo" në Paris.