PRISHTINË, 29 Janar/ATSH/.- Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, kanë organizuar një takim të përbashkët ndërkufitar të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë Kosovë - Shqipëri me temë "Bashkëpunimi ndërshtetëror në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve ndërkufitare".
Sipas KosovaPress, në këtë takim përveç krerëve të prokurorive, gjykatave, policisë dhe doganave, kanë marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Elona Gjebrea, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Prefekti i Qarkut të Kukësit, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të qyteteve ndërkufitare.
"Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për të vazhduar përpjekjet drejt arritjes se qëllimit të përbashkët për të luftuar në mënyrë efikase krimet ndërkufitare", tha Hoxha.
Pjesëmarrësit në takim ranë dakord për intensifikimin e takimeve të tilla me qëllim, koordinimin sa më të mirë në luftë kundër krimeve ndërkufitare, rritjen e efikasitetit në shkëmbimin e informatave, unifikimin e legjislacionit, unifikimin dhe lehtësimin e procedurave doganore, shkëmbimin më të shpejt të informatave lidhur me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në fushën penale, etj./m.m/







