Kosova dhe Shqipëria bashkë në Festivalin e Kanës

/ATSH/.- Sot fillon edicioni i 68-të i festivalit të Kanës. Ky është viti i parë që në Festivalin e Kanës, Kosova dhe Shqipëria ndajnë një stend në tregun më të madh të filmit në Kanë, ndërsa për Kosovën është viti i katërt që është pjesë e këtij tregu.
Sipas një njoftimi për shtyp të QKK-së së Kosovës, drejtori i QKK-së të Shqipërisë, Ilir Butka, rreth këtij bashkëpunimi u shpreh se "ky prezantim i përbashkët nuk ka për qëllim vetëm promovimin e kinematografisë sonë, por mund të konsiderohet si një oportunitet për të identifikuar studiot ndërkombëtare kinematografike, që janë të interesuara për realizimin e ko-produksioneve me Shqipërinë dhe Kosovën".
Ndërsa drejtori i QKK-së të Kosovës, Arben Zharku tha se "jemi shumë të kënaqur që po ndajmë edhe në Kanë hapësirën e përbashkët me Shqipërinë dhe bashkë me ta kemi mundësinë t'i prezantojmë veprat më të reja të kinematografisë sonë."
QKK në Kanë do të prezantohet me filmat më të ri të përfunduar. Do të promovohen filmat e metrazhit të gjatë, të shkurtër, dokumentar e animacion. Gjithashtu do të promovohen edhe filmat e studentëve, të cilët QKK i ka mbështetur në bazë të marrëveshjes mes Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Fakultetit të Arteve. Gjatë kësaj kohe gjithashtu do të ketë takime me institucione të filmit, fonde të filmit dhe do të bëhen disa marrëveshje.

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Autobotët ndalen në Vermicë, protestojnë kundër vendimit të doganës shqiptare për skanimin para dhe pas ngarkesës