Kosova do të strehojë pesë gazetarë afganë

Kosova do të strehojë pesë gazetarë afganë

Kosova do të strehojë për dy vjet pesë gazetarë afganë, që përballen me përndjekje në vendin e tyre. Qeveria e Kosovës ndau të mërkurën fonde që do t’u sigurojnë kushtet për strehim, punë dhe kthim për në vendlindje, “sapo të krijohet siguri për kthimin e tyre në Afganistan”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Ky projekt është në harmoni me qëndrimin e Republikës së Kosovës për solidarizim me të drejtën e pakontestueshme të gazetarëve për ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe të sigurt, si dhe në frymën e mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut”, thuhet në njoftim.

Strehimi i gazetarëve afganë do të realizohet me mbështetjen e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dhe qeverisë gjermane, ndërsa do të zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Jemi shumë të kënaqur që kolegët tanë afganë do të mund ta quajnë Kosovën shtëpinë e tyre së shpejti. Ne jemi të gatshëm të bëjmë maksimumin për të ndihmuar kolegët afgan të punojnë si gazetarë nga Kosova, në një mjedis të sigurt”, shkroi në rrjetet sociale Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Liri të Medias, i tha Zërit të Amerikës se është mirënjohëse ndaj qeverisë së Kosovës për mbështetjen e kësaj nisme.

“Këta gazetarë janë duke u përndjekur nga talibanët për shkak të profesionit të tyre dhe meritojnë mbrojtje urgjente. Gazetaria nuk është krim dhe ky program për mbrojtjen e gazetarëve nga përndjekja është shembull që duhet të ndiqet nga qeveritë tjera në Evropë”, tha ajo.

Kjo është hera e dytë që Kosova ofron mundësi të tillë për gazetarët e huaj, pas strehimit të disa gazetareve ukrainase të cilat u detyruan ta lënë vendin e tyre për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Vitin e kaluar Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e rreth 2 mijë refugjatëve afganë, pjesa më e madhe e të cilëve janë strehuar më pas në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera./VOA

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mirlind Daku shënon gol në javën e parë të kampionatit rus

Mirlind Daku shënon gol në javën e parë të kampionatit rus