PRISHTINË, 13 Nëntor/ATSH/.- Kryesuesi i Komisionit për Persona të Zhdukur në Kosovë, Prenk Gjetaj, gjatë një takimi sot me kryesuesin për Persona të rrëmbyer dhe të Zhdukur të Kroacisë, Ivan Grujiç, shkëmbyen përvojat e tyre për gjetjen e personave të zhdukur.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit Gjetaj dhe Grujiç vlerësuan se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi i të dyja vendeve për zbardhjen e fatit të kosovarëve të zhdukur në Kroaci dhe të kroatëve të zhdukur në territorin e Kosovës.
"Aktualisht jemi në fazën për të krijuar një listë rajonale, por me kritere të barabarta si partnerë të barabartë në kërkimin, evidentimin dhe zbardhjen e fatit te personave, që kanë qenë qytetarë, apo në punë apo në forma të ndryshme të lëvizjes në Republikën e Kroacisë apo në Bosnje e Hercegovinë, apo në rrugëtim e sipër, që kemi plot raste që janë zhdukur njerëzit. Sigurisht ndër çështjet që do të bisedohet për bashkëpunim, do të jetë pikërisht kjo çështje", thekson Gjetaj.
Ndërsa Ivan Grujiç tha se "ekziston një numër kroatësh të zhdukur në Kosovë dhe anasjelltas.Përmes këtyre bisedave, kërkojmë mënyrën që të t'iu përgjigjemi atyre familjeve, të cilat familjarët i kanë të zhdukur në territorin tjetër".
Sa ka qenë bashkëpunuese Serbia lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve të Kroacisë, Grujiç tha se "ka shumë vite që nuk kanë marrë përgjigje për dorëzimin e informatave për personat e zhdukur, për vendet e varrezave masive në territoret e okupuara më herët në Republikën e Kroacisë dhe vendet ku janë të zhvendosura këto varreza masive".
Ai u shpreh se "kërkojmë që të kemi informata nëse varreza të tilla ka edhe në territorin e Serbisë".
Edhe pas 15 viteve të mbarimit të luftës në Kosovë, mbesin 1657 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet. 23 vite më parë Republika e Kroacisë është ballafaquar me agresionin në të cilin janë zhdukur mbi 18 mijë persona. Vizita e sotme mes Kosovës dhe Kroacisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur u bë në kuadër të përpjekjeve për të shtuar bashkëpunimin dhe për të fituar përvoja të ndryshme, sidomos në aspektin e metodës së zbardhjes së fatit të këtyre personave./k.s/