Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do i radikalizojnë qëndrimet e tyre kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen në vend prej disa ditësh.

Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se ndërkombëtarët kanë tentuar të takojnë protestuesit, por kanë dështuar, pasi sipas tij, ata nuk kanë nxjerrë një lider dhe një përfaqësi.

Më tej Spahiu theksoi se edhe nëse protestuesit do të arrijnë të marrin pushtetin me dhunë si PD në vitin 1998, partnerët ndërkombëtarë nuk do e njohin qeverisjen e vendit nga këta individë.

“Qëndrimi i Uashingtonit, Brukselit dhe Strasburgut ka qenë proporcional dhe në linjë të njëjtë. Do ketë edhe një deklaratë në ditët në vijim, që do të jetë në ligjëratë të drejtë, që Uashingtoni dhe Brukseli nuk njohin një pushtet që vjen me dhunë dhe largohet me dhunë. Dhe është në ligjëratë të drejtë, me atë që ka ndodhur në vitin 1998, kur Fatos Nano u largua me forcë nga zyra dhe ra pushteti. Kjo deklaratë po përgatitet nëse protestuesit do të avancojnë.

Edhe sikur të bjerë selia, godina, nëse nuk gjendet zgjidhja në tavolinë, por zgjidhja vjen duke marrë me forcë kolltukun e kryeministrit, do kenë rezistencë të jashtëzakonshme dhe bllok total të Uashingtonit dhe Brukselit. I gjithë ky zjarr që po i vihet Shqipërisë është një autogol që protestuesit po e bëjnë ndaj vetes.

Këta po humbin çdo mbështetje ndërkombëtare. Deri dje, te flamingot erdhën dhjetëra e qindra europarlamentarë që u bënë me protestën. Tani Komisioni Europian kundër, BE kundër, Uashingtoni kundër. Këta po prishin urat që ndërtuan. Ishin drejt rrugës së pushtetit. Për një javë e rrafshuan. S’del një njeri që të marrë përgjegjësinë. Atëherë me kë do negociojnë ndërkombëtarët? Prap shkojnë te Rama”, tha mes të tjerash Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Kush do e propozojë kryeministrin apo ministrat e qeverisë teknike dhe ku do votohen?