Kosova ka nevojë për mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në mënyrë që të ketë qasje në institucionet e tjera financiare për marrjen e kredive për projektet qeveritare.
Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Avdullah Hoti, pas kthimit nga vizita në SHBA, vizitë të cilën e cilësoi si të suksesshme. Hoti ka thënë se ka mundësi që Kosova të ketë një program me FMN-në, program ky i cili pritet të negociohet shumë shpejt.
"Jemi pajtuar në terma të përgjithshëm me FMN-në për një program të mundshëm të cilin do e negociojmë besoj shumë shpejt, i cili na mundëson të mbajmë stabilitetin makro- fiskal në vend, por në të njëjtën kohë të hapim mundësinë për projekte zhvillimore. Ne i kemi bindur ata që Kosova ka stabilitet makro-fiskal, por kemi nevojë për mbështetjen e FMN-së për të siguruar kredibilitet te organizatat ndërkombëtare karshi financave publike, që ne kemi mundësi të hyjmë në kredi ndërkombëtare te Banka Botërore, te IBRD, IBA tek organizata të tjera, që janë të gatshme të financojnë projektet e qeverisë së re", theksoi Hoti.
Edhe Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, sikurse ministri Hoti, e vlerësoi vizitën e bërë në institucionet kryesore të financave në botë, duke thënë se arritja e një programi të ri me FMN-në, do t'i mundësojë Kosovës që të krijojë lidhje të reja me institucionet e tjera financiare./atsh/