PRISHTINË, 14 Nëntor /ATSH/- Kosova ende nuk ka statistika të sakta lidhur me numrin e qytetarëve të prekur me sëmundjen e diabetit, megjithatë sipas të dhënave të deritanishme të regjistrimit që po vazhdon, del se mbi 9 mijë pacientë marrin insulinë, u theksua sot gjatë aktiviteteve të zhvilluara me rastin e 14 nëntorit, Ditës Botërore të Diabetit të organizuara nga Klinika e Endokrinologjisë e QKUK-së dhe Shoqata e Endokrinologjisë.
Qytetarët e interesuar kanë pasur mundësi që të bëjnë sot testin e glicemisë dhe të "body mass index-it" falas, i cili tregon nëse je me diabet apo jo, dhe gjithashtu qytetarët kanë pasur mundësinë të mësojnë se cila është pesha ideale për gjatësinë që e kanë, bën të ditur KosovaPress.
Endokrinologu, Bardhyl Gashi, njëkohësisht edhe Kryetar i Shoqatës së Endokrinologëve të Kosovës, tha se "rol kryesor në parandalimin e diabetit është edhe ushqimi i shëndetshëm, siç janë pemët dhe perimet".
Sipas tij, ushqimet që duhet evituar janë: brumërat dhe yndyrnat me origjinë shtazore.
"Këtë ditë e ka organizuar shoqata e endokrinologeve të Kosovës, klinka endokrinologjike, ministria e shëndetësisë dhe QKU. Kjo është organizuar në 9 qytete të Kosovës, në Prizren, Gjakovë, Pejë, Skenderaj, Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prishtinë. E falënderojmë edhe FSK-në që na ka ndihmuar për ngritjen e këtyre tendave, ku po masim gliceminë, "badi mass indeksi"-në, shpërndarjen e disa broshurave për vetëdijesimin e popullatës për sëmundjen e sheqerit, si të përvesohet", tha Gashi.
Ndërsa, Igablle Malushi, kryetare e Shoqatës së Diabetikëve të Kosovës, tha se "kjo shoqatë mundohet që sa më shumë t'i vetëdijësojë pacientët për kujdesin që duhet bërë për mjekimin e kësaj sëmundje, sepse sipas saj niveli i vetëdijesimit është shumë i ulët në Kosovë".
Sipas Malushajt, kjo sëmundje sjellë deri tek disa komplikacione siç janë verbimi, amputimi i këmbëve, humbja e funksionit të veshkave etj.
Me rastin e 14 nëntorit, Ditës Botërore të Diabetit, Klinika e Endokrinologjisë e QKUK dhe Shoqata e Endokrinologjisë për ta shënuar këtë ditë ka mbajtur sot edhe ligjëratat për ushqim të shëndetshëm nga mjekët e Klinikes Endokrinologjike, pastaj është bërë edhe testimi i nxënësve për këtë temë./k.s/