Kosova gjobit MTS-në me 1.5 milion euro për shkelje të ligjit të konkurrencës

Kosova gjobit MTS-në me 1.5 milion euro për shkelje të ligjit të konkurrencës

Ndërtesa e kompanisë MTS d.o.o. në Mitrovicë të Veriut

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës njoftoi të mërkurën se e ka gjobitur ndërmarrjen MTS d.o.o me mbi 1.5 milion euro për shkeljen e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

MTS d.o.o. e ka për kompani amë operatorin shtetëror të telekomunikacionit, Telekomi i Serbisë, dhe u themeluar në tetor të vitit 2015 në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Selia e kësaj ndërmarrjeje shoqërore është në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Megjithatë, ajo ka degë edhe në komunat tjera të banuara me shumicë serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë dhe Ranillug.

Ky vendim vjen disa muaj pasi Qeveria e Kosovës ia hoqi licencën biznesore kësaj kompanie për shkak të dokumentacionit të kontestuar gjatë regjistrimit të biznesit.

Autoriteti tha, sipas vendimit që e mori më 18 dhjetor, se MTS d.o.o. e shkeli ligjin "duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International".

Verën e kaluar, emri i kompanisë MTS d.o.o. u gjet në listën e kompanive, të cilave mund t'u ndalohet veprimtaria e të bërit biznes në Kosovë, sepse në formularin e regjistrimit shkruan se ndodhet në territorin e Serbisë, përkatësisht shkruan "Mitrovica e Kosovës (Kosovska Mitrovica), Republika e Serbisë".

Lista e kompanive me vendndodhje gjeografike të ngjashme të kontestuar është përpiluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, pasi mediumit Klan Kosova iu pezullua certifikata e biznesit për të njëjtën arsye.

Ligji për mbrojtjen e konkurrencës

Ligji i ri për mbrojtjen e konkurrencës ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2022 dhe parashikon që pjesëmarrësit në një përqendrim, d.m.th në uljen e numrit të pjesëmarrësve në treg, në disa raste duhet të kërkojnë paraprakisht leje nga Autoriteti i Konkurrencës.

Në ligj, "përqendrimi" përshkruhet si "ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit të ndërmarrjeve kur bashkohen ndërmarrje të pavarura ose pjesë të tyre ose kur një a më shumë ndërmarrje fitojnë kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të tërësisë ose pjesëve të ndërmarrjeve të tjera, sidomos duke fituar aksione...”.

Deri në mesin e vitit të kaluar ishte në fuqi ligji, sipas të cilit nuk ishte e nevojshme leja për pjesëmarrje në përqendrim, pra blerje të kompanive të tjera të ngjashme.

Por, në bazë të ligjit të mëparshëm, Autoriteti i Mbrojtjes së Konkurrencës kishte të drejtë të niste një procedurë për rishikimin e marrëveshjeve ndërmjet shoqërive, nëse konstatohej se një kompani dominonte./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

'Qeveritë e shtetet po komunikojnë më shumë me SMS sesa me shkresa', Rama: Sfidë e madhe të shkruash historinë e këtyre kohëve (Fjala e plotë)

'Qeveritë e shtetet po komunikojnë më shumë me SMS sesa me shkresa', Rama: Sfidë e madhe të shkruash historinë e këtyre kohëve (Fjala e plotë)