Kosova i jep me qira Danimarkës burgun e Gjilanit, Kuvendi ratifikon marrëveshjen! Do strehohen 300 të burgosur danezë

Kosova i jep me qira Danimarkës burgun e Gjilanit, Kuvendi ratifikon marrëveshjen! Do strehohen 300 të burgosur danezë

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar të enjten (23 maj) një marrëveshje për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në qytetin jugor të vendit, Gjilan, në të cilin pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë.

Në një seancë me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi e miratoi Projektligjin për marrëveshjen me Danimarkën me 86 vota për, 7 kundër dhe asnjë abstenim. Kosova do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, në përputhje me marrëveshjen 10-vjeçare mes dy qeverive, e cila u nënshkrua në prill dhe në maj 2022.

Sipas planit, Kosova do t’i përfitojë rreth 200 milionë euro nga kjo marrëveshje, të cilat do t’i shpenzojë për Shërbimin Korrektues të vendit dhe për energjinë e ripërtërishme.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli - e cila e paraqiti Projektligjin para deputetëve për votim - tha se traktati i forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Danimarkës.

“Qëllimi është forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ekzistuese të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Danimarkës, duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në sistemin e shërbimit korrektues në Republikën e Kosovës, si dhe përfitimet që Republika e Kosovës do t'i ketë nga ky traktat”, tha Rizvanolli.

Danimarka nuk mund të dërgojë të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte, e as të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, sipas planit.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e konsideroi "të ngutshëm" ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Kjo qendër shprehu shqetësim se për këtë marrëveshje nuk ka pasur një debat publik, por po ashtu tha se sipas marrëveshjes, të burgosurit në Burgun e Gjilanit - afër 200 të burgosur - tani duhet të zhvendosen në burgje tjera.

Çfarë parashikon marrëveshja?

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli, të vetme dhe të përbashkëta, në burgun e Gjilanit  pjesa lindore e Kosovës.

Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova  30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Ratifikimi i marrëveshjes për burgjet me Danimarkën, Albulena Haxhiu: Përfitime të ndërsjella dhe dyer të reja për bashkëpunim

1716496715_ALBULEMNAHAXHIU.jpg

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan se marrëveshja do sjell përfitime për të dyja vendet.

“Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 24/05/2024 03:15

    Mund te merren me mend se cilet te burgosur //daneze// do te perzgjidhen te dergohen ne Kosove.Duket qe dhe Danimarka ashtu si GB e gjeti /Ruanden/ e Ballkanit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë