Kosova i kthehet kufizimit të orarit të lëvizjes së qytetarëve me shtimin e rasteve të reja me covid-19. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar sot masat e reja duke thënë se në qytetet ku ka numër të madh të personave të infektuar do të kufizohet lëvizja nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

“Në qytetet ku ka numër te madh do të kufizohet plotësisht lëvizja. Nga Sonte në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri. Do te kufizojmë plotësisht lëvizjen nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Do të përcjellim pastaj lëvizjet e numrave me infektime”, tha Hoti.

Në lidhje me baret e restorantet, edhe ato do të jenë të mbyllura nga ora 21:00 deri në orën 5 të mëngjesit dhe gjatë orarit të punës do të lejohet vetëm ambientet e jashtme.

"Sa i përket bizneseve. Mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit. Lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti i bëri thirrje dhe bizneseve që të punojnë më staf minimal të nevojshme nëse është e mundur për shkak të koronavirusit dhe ky rregull do të shërbejë jo vetëm për bizneset private por dhe institucionet shëndetësore.

“Do të reduktojmë numrin e të punësuarve në institucione vetëm në staf të domosdoshëm. Në institucione shëndetësore, do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë jo-esecenciale që presin”, ka thënë Hoti.