PRISHTINË, 21 Gusht /ATSH-B.Jashari/.-Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, të 45-tën drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mori vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike.
Kabineti qeveritar miratoi vendimin për t'i rekomanduar Presidentes së Republikës autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Botërore për Projektin e Përmirësimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë, i cili ka për qëllim forcimin e sistemeve të përzgjedhura që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë, llogaridhënies, efikasitetin e arsimit në vend.
U aprovua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për heqjen e ndërsjellë të vizave hyrëse për bartësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Kuvajtit, e cila, siç u vlerësua, përveç rëndësisë në përmbajtjen e saj, do të avancoj edhe më tutje marrëdhëniet ekzistuese shumë të mira ndërmjet dy vendeve./i.v/./a.ke/












