Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të mund të kontribuojnë në forcën paqeruajtëse për Gazën, i tha Radios Evropa e Lirë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Autoritetet në Kosovë ditë më parë kanë bërë të ditur se FSK-ja do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga plani 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur paqe në territorin palestinez.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më 30 janar se pjesëmarrja e FSK-së në këtë forcë vjen pas pjesëmarrjes në një konferencë në Doha të Katarit në dhjetorin e vitit paraprak, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.

I pyetur për rezultatet konkrete të këtij takimi, Maqedonci theksoi se konferenca në Katar kishte karakter informues lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe se Kosova u ftua të merrte pjesë në të nga ushtria amerikane.

“Në këtë fazë nuk është kërkuar të jepen zotime”, tha Maqedonci. Pas ftesës nga SHBA-ja, Kurti ka miratuar kërkesën që komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari të marrë pjesë takimin në Katar, thanë nga zyra e tij.

“Në kuadër të gatishmërisë sonë për të kontribuar brenda kapaciteteve tona për paqe dhe stabilitet në Gaza, kryeministri Kurti ka miratuar kërkesën e Ministrisë se Mbrojtjes për pjesëmarrjen e Komandantit të FSK-së në Samitin përgatitor për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga Plani Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu.

Kosova veçse është zotuar për kontribut për paqe në botë, teksa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është bërë pjesë e Bordit të Paqes, nismës e Trumpit përmes së cilës synon zgjidhjen e konflikteve globale./REL