/ATSH/.- Përfaqësues të Kosovës, Serbisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Estonisë, të gjithë morën pjesë në Bruksel, në konferencën, ku u prezantua Reforma e Administratës Publike, si një ndër tre shtyllat e procesit të zgjerimit së bashku me sundimin e ligjit dhe qeverisjen ekonomike.
Kosovën e përfaqësoi ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili gjatë konferencës foli për zbatimin e Reformës së Administratës Publike në Kosovë, thuhet në një njoftim për shtyp të MAP-së, të cituar nga KosovaPress.

"Përforcimi i reformës së administrimit publik në procesin e zgjerimit", ishte tema, ku u theksua se Strategjia e afrimit e miratuar, më 8 tetor , ka rritur përpjekjet për RAP-in, i cili i adreson fushat: Kornizën strategjike, zhvillimin dhe koordinimin e politikave, shërbimin publik, menaxhimin e burimeve njerëzore , përgjegjësitë, ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e financave publike.

Në fjalën e tij, të mbajtur me këtë rast, ministri Yagcilar duke folur për zbatimin e Reformës së Administratës Publike në Kosovë theksoi se "reforma mbetet ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës".

Hapat e parë drejt saj janë ndërmarrë në vitin 2005 , kur u themelua grupi i ekspertëve për RAP-in, i cili hartoi Strategjinë e RAP-it 2007-2012, që u miratua nga Qeveria e Kosovës në vitin 2007.

Më pas, pas analizave, është konstatuar se SRAP-i duhet të rishikohet dhe objektivat duhet të jenë sa më konkrete dhe të përshtatshme me realitetin e krijuar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Vizioni i SRAP-it 2010-2013 kishte tri qëllime kryesore, ndërtimin e një administrate publike efektive në ofrimin e shërbimeve administrative, efikase nga pikëpamja e kostos, evropiane në metodat e saj të organizimit dhe punës.

Yagcilar përmendi edhe bashkëpunimin me OECD/SIGMA për finalizimin e Projektligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, për aktivizimin e mekanizmave kryesorë dhe grupet punuese dhe për bashkëpunimin me Komisionin Evropian, në këtë fushë.

Vlen të theksohet fakti, konstatoi Yagcilar, se shtrirja e internetit në Kosovë është më e avancuara në rajon dhe krahas kësaj janë realizuar shumë projekte elektronike që funksionojnë në shumë fusha. Kohëve të fundit është kushtuar hapësirë edhe për zhvillimin e aktiviteteve në fushën e promovimit të Diplomacisë Dixhitale , kurse në proces është krijimi i regjistrit elektronik të adresave, dhe të dhënave gjeohapësinore, hartatopografike dixhitale, etj.

Aktualisht jemi duke e planifikuar hartimin e Strategjisë së re të RAP-it për periudhën 2015-2020, e cila do të bazohet në konkluzionet e raportit gjithëpërfshirës mbi zbatimin e RAP-it dhe do të jetë në harmoni edhe me programimin e IPA2. Në fund, Yagcilar falënderoi të gjithë aktorët, në kuadër të Bashkimit Evropian dhe më gjerë për ndihmën e vazhdueshme, që i kanë dhënë zhvillimit të administratës publike në Kosovë.