Kosova vijon të jetë pa një emër për presidentin e ri, ndërsa marrëveshja politike mes partive ende mungon. Një analizë e publikuar nga Kallxo ngre disa pikëpyetje për situatën politike, mes tyre edhe pse deri tani nuk është propozuar për një mandat të dytë presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afateve kushtetuese, vendi rrezikon të përballet me një krizë të re politike, në një moment kur institucionet sapo janë konsoliduar pas formimit të Kuvendit dhe qeverisë.
Profesori i shkencave politike, Dritero Arifi, thotë se fakti që ende nuk është propozuar asnjë kandidat lidhet me kalkulimet politike të kryeministrit Albin Kurti.
“Pra të asaj se i gjithë faji nëse shkohet në zgjedhje dhe nuk votohet kandidatja apo kandidati i zotit Kurti, do t’i bie opozitës. Pra zoti Kurti luan edhe me këtë element. Pra edhe nëse nuk shkon në zgjedhje del fitues, edhe nëse shkon në zgjedhje del fitues në një farë mënyre, duke akuzuar opozitën që nuk ishte e gatshme ta votojë kandidatin e Vetëvendosjes”, tha ai për Kallxo.
Sipas Arifit, e gjithë situata politike rreth zgjedhjes së presidentit lidhet me strategjinë e Kurtit për të testuar deri në kufijtë maksimalë opsionet që ka në dispozicion.
Në një tjetër këndvështrim, politologu dhe ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, Melazim Koci, thotë se aktualisht klasa politike në Kosovë duket se nuk do të arrijë të gjejë konsensus për një kandidat për president.
“Aktualisht kanë mbetur vetëm dy mundësi: një kandidat i përbashkët jopartiak i LVV-së dhe opozitës ose një marrëveshje mes LVV-së dhe PDK-së. As njëra dhe as mundësia e dytë nuk duken në horizont”, tha ai.
Sipas Kocit, kandidaturat partiake do ta çonin vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa një kandidat jopartiak do ta kishte më të lehtë të siguronte konsensusin politik.
“Aktualisht po aktrohet përpjekja për gjetje të një zgjidhjeje, ndërsa duket se të dy palët janë pajtuar me zgjedhje të tjera. Beteja është rreth narrativës: kush kë do ta fajësojë për shkuarje në zgjedhje”, u shpreh ai.
Një tjetër dilemë lidhet me faktin pse kryeministri Kurti nuk e ka propozuar sërish presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe pse ajo është shprehur e gatshme për një mandat të dytë.
Sipas Kocit, kjo mund të lidhet me dy arsye: vështirësinë për të siguruar kuorumin prej 80 deputetësh ose me tensionet në raportet mes tyre.
“Këtë të dytën e hetuam në rastin e anëtarësimit në ‘Bordin e Paqes’. Pohimeve të gazetës gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, se kishte moskoordinim rreth kësaj çështjeje ndërmjet znj. Osmani dhe z. Kurti, askush nga qeveria nuk iu përgjigj ose i demantoi. Kjo është dëshmi se shkrimi i ‘FAZ’, nëse jo në tërësi, pjesërisht mund të jetë i saktë”, shtoi ai.
Ndërsa Arifi sjell edhe një tjetër interpretim për hezitimin e Kurtit për ta propozuar Osmanin.
“E vetmja përçarje dhe frikë kisha me thënë e zotit Kurti është që presidentja ka një afirmitet të frikshëm me administratën e Trump në raport me Kurtin dhe kjo do ta po themi do ta shuante si qendër të vëmendjes kryeministrin sepse çdo ë arritje apo çdo marrëveshje në të ardhmen e afërt dhe këto tre vite që do ta bënte Kosova do ta nënshkruante Vjosa Osmani dhe kjo do ta lindte nën hije kryeministrin Kurti sikurse s’ka bërë asgjë për të gjithë vëmendjen do ta merr presidentja”, tha ai.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 5 prill 2026. Për të propozuar një kandidat për president duhen të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa për zgjedhjen në dy rundet e para kërkohen 80 vota në Kuvend. Në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse procesi dështon, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Komente









